E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznemeni: Bano dhe kreu i PD-së tek Aldo Bare

DËSHMIA
Lexohet dëshmia, Zyber Meço, ish- pronari i firmës së pastrimit në Lushnje rrëfen kërcënimet e bandës ndaj tij


Prokuroria ka lexuar dje dëshmitë e dy personave të vdekur tashmë, të dhëna në polici ku tregohen torturat dhe kërcënimet e Fred Shkurtit


TIRANË- Procesi gjyqësor ndaj të pandehurve të akuzuar si pjesëtarë të "bandës" së Aldo Bares, vazhdoi dje me leximin e deklarimeve të dy shtetasve të vdekur tashmë Zyber Meço dhe Kujtim Kërcuku (Arapi), të cilët kanë shpjeguar debatin mes "ushtarit" të bandës së Lushnjes dhe deputetit të tyre Ilir Bano në prani të kreut të PD- së Lushnjes në atë kohë, Ylli Sefa.

Sipas deklarimeve të dhëna para oficerëve të policisë në qershor të 2006, shtetasi Zyber Meço ka shpjeguar marrjen peng të tij për disa orë nga të pandehurit e këtij procesi dhe debatin që ai ka dëgjuar mes të pandehurit Arben Boriçi e deputetit Ilir Bano.

Sipas Meços, ka qenë muaji maj i vitit 1999, kur në komisariatin nr.2 të Lushnjes, siç njihej grupi që drejtohej nga Aldo Bare, ka parë brenda ambienteve të saj, deputetin Bano, të cilit i kërkonte llogari i pandehuri Arben Boriçi.

Aty sipas tij ka qenë edhe i vëllai i tij, si dhe kreu i PDsë së Lushnjes në atë kohë. "Ka qenë muaji maj i viti 1999 aty rreth orës 21:30 minuta kur grupi kriminal i Aldo Bares që vepronte në rrethin e Lushnjes më ka marrë peng bashkë me vëllain. Atë natë po shkoja te shtëpia e vëllait Pëllumb Meço.

Rreth 200 metra pa mbërritur te unaza, pas meje ka ardhur një furgon i bardhë i blinduar që ishte i komisariatit të Policisë nr.2 që drejtohej nga Alfred Shkurti. Ndalet fugoni dhe nga dera e krahut të djathtë më thërret Arjan Aliçaj, "O Bele hip lart se kemi punë me ty".

Hipa se në të kundërtën e dija që do më vrisnin. Aty brenda në furgon ishte edhe Maksim Çela, Arben Boriçi e Arjan Aliçaj që ishin të armatosur dhe më dërguan në Komisariatin nr,2 të Aldo Bares. Në oborr të kësaj godine ishin disa të rinj që ruanin ndërtesën dhe më futen në një hyrje si garazh ku ishte një korridor i gjatë. Aty ishte i ulur vëllai im, Pëllumb Meço, deputeti i PD-së për Lushnjen Ilir Bano dhe kryetari i PD-së në Lushnje, Ylli Sefa.

Të gjithë të tjerët ishin të armatosur dhe silleshin sa në një dhomë në tjetrën me armë në dorë e në brez. Në krye të tavolinës që ndodhej aty u ul Arben Boriçi, i cili iu drejtua menjëherë deputetit Ilir Bano duke i thënë "Ilir përse nuk flet mirë ti për ne në Parlament". Iliri ia ktheu "Unë nuk jam pjesëtar në qeveri që të flas mirë për ju, unë nuk kam punë me ju, ne kemi punë partie, ato tuajat janë punë qeverie".

Gjatë kësaj bisede Boriçi fliste disa herë në telefon me një person, që i thoshte "po shef"; "këtu është shef" etj. Në ora 23:00 të darkës na nxorën nga ndërtesa dhe ikëm"-ka thënë Meço në dëshminë e tij. Gjithashtu, dëshmitari Meço i pyetur nga policia ka sqaruar edhe dy episode të tjera, njërin, kur anëtarët e kësaj bande ia morën për shfrytëzim botin e ujit për punët që kryenin në Lagunën e Karavastas dhe rastin tjetër të vrasjes së Tan Sulës dhe plagosjes së vetë atij, dëshmitarit tashmë të vdekur Zyber Meço.

Vrasja e Tan Sulës pas shlyerjes së borxhit
Presionet për tenderin e pastrimit


"Më 17 shtator 2001, aty rreth orës 8:30 minuta po hyja në zyrë kur shtetasi Tan Sula kishte ardhur për të më sjellë lekët që mi kishte borxh, rreth 1.5 milion lekë të vjetra. Unë i thashë të m'i jepte dhe të ikte, por, ai këmbënguli se do më jepte edhe një kafe. Nuk kisha kohë dhe po i thoshja që do iki bashkë me supervizorin e Bashkisë së kisha punë në qytet.

Ai këmbënguli që të iknim me makinën e tij, dhe hipëm. Shofër ishte Tan Sula, unë ngjitur me të para ndërsa mbrapa në sedilje ishte supervizori dhe i njohur i Tan Sulës nga Karbunara.

Sapo hipëm dhe u bëmë gati të nisemi, nga ana e shoferit u qëllua me breshëri armësh nga Dritan Vila e Çibuku (Leonard Prifti). Nga të shtënat, mbeti i vrarë Tan Sula, u plagos i afërmi i tij nga karbunara dhe unë, ndërsa supervizori shpëtoi.

Personalisht me këta persona nuk kam pas gjë, përkundrazi ata më kanë kërkuar të mos merrja pjesë në tenderin për pastrimin e qytetit. Ku, konkretisht pak kohë më pas, më ka marrë në telefon Rexhep Gina (pas konfliktit mes Roland Shytit i akuzuar si anëtar i Hakmarrjes për Drejtësi dhe "bandës" së Bares) dhe më ka thënë se "ne u vramë për këtë tender, prandaj ti po deshe mos hyr në tenderin e pastrimit" dhe për këtë qëllim nuk hyra as unë në tender", -ka sqaruar para policisë dëshmitari Pëllumb Meço, tashmë i vdekur për shkaqe natyrale.

---------------------------------------------------------------------------------------------

Arapi: Fredi më tregoi vrasjet


TIRANË- "Grupi i Alfred Shkurtit rreth 28 apo 29 janar 1998 më rrëmbyen burrin Adem Arapin dhe ma masakruan, duke e hedhur në rrugë për të vdekur, por që shpëtoi pas mjekimeve të shumta. Arsyeja e marrjes së tij, ishte frika se ky do të hakmerrej për vrasjen e vëllait të tij nga kjo "bandë".

Atë e kishte marrë Arben Boriçi me shokët. Unë shkova te babai i Fred Shkurtit për t'i kërkuar ndihmë, por nuk ishte në shtëpi. Më pas shkova te Fredi vetë se kisha punuar në fabrikën e tullave me të. I thashë për burrin dhe më tha shko se e ke në spital, e thuaj shyqyr që e ke gjallë se do të hakmerrem ndaj të gjithëve me këto duar, ndaj Met Zenelit, Mazarit, Idajet Beqirit e nuk pyes për askënd se nuk ka shtet.

Aty ishin edhe Arben Boriçi, Zyber Shkurti, Ilir Stërgu, Enver Dondollaku, Enver Boriçi, Agur Musaku dhe Ledi Nurçes. Pas kësaj, ika në Spital për të parë burrin, por, më urdhëruan që sapo të shoh Gramoz Selmanin të shkoja t'i tregoja.

Pasi u shërua burri më tregoi se atë e kishte marrë Arben Boriçi rreth orës 9:30, ia kishin lidhur duart nga mbrapa dhe e kishin rrahur mbi 15 veta, duke e qëlluar me bishta lopate, shqelma, kondakë pistoletash e "Kallashnikovësh" dhe duke e detyruar të fshinte gjakun e tij që bënte muret deri në 13:30 kur e kanë hedhur tek ura e Shelgut në gjendje kome.

Që nga ajo ditë, më ka kërkuar rregullisht Alfred Shkurti, duke më kërkuar t'i gjenim Gramoz Selmanin, pasi e akuzonte se bashkë me Artur Dajën i kishin vrarë vëllain Ramadan Shkurtin.

Ai dërgonte fëmijë për të më kërkuar dhe më pyeste për Gramozin dhe më tha një natë që të shkoj në familjen e Petrit Selmanit dhe t'u kërkoj ta dorëzonin Gramozin ose përndryshe do ta vriste Petritin.

Nga frika, ky i fundit i bëri denoncim në polici, që pas ca dite nga mos tërheqja e këtij kallëzimi "banda" e Fredit ia dogji shtëpinë Petrit Selmanit. Gjatë takimeve që kam pasur me Fred Shkurtin, më ka thënë se ai kishte urdhëruar për vrasjen e Përparim Memës e Bashkim Shkurtit, këtë të fundit e ka vrarë pasi ky e kishte liruar para tri viteve nga burgu Artur Dajën.

Më thoshte se "ushtarët" e tij kishin vrarë Mazarin, Idajet Beqirin, Met Zenelin, Xhevat Demirin e përsëriste se do të vrisnin e do ta djegin të gjallë Gramoz Selmanin"-ka shpjeguar ndër të tjera në vitin 1999 shtetasja Kujtime Arapi.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›