E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset: Të miratohet ligji mbi Gjykatat Administrative

01/10/2009  Plot 28 organizata nisin fushatën e koordinuar për zgjidhjen e kësaj çështjeje

Vonesat në miratimin e ligjit të Gjykatës Administrative do të sillnin kosto shtesë dhe energji të humbura. Me nisjen nga puna të legjislaturës së re parlamentare plot 28 organizata që përfaqësojnë komunitetin e biznesit në Shqipëri, të organizuar në Koalicionin në Përkrahje të Gjykatës Administrative, kërkojnë përfundimin e shqyrtimit të këtij ligji, me qëllim që shfrytëzimi më i mirë i kostos dhe energjive njerëzore të sjellë përfitim për të gjithë shoqërinë. Me anën e një komunikimi zyrtar nga ky koalicion bëhet e ditur se këto 28 organizata kanë ndërmarrë një fushatë të koordinuar që përfshin dhe publikun e gjerë, për të kërkuar miratimin sa më parë nga Parlamenti të projektligjit për Gjykatën Administrative. “Miratimi i ligjit do ti hapë rrugën ngritjes së sistemit të Gjykatave Administrative, një institucion, të cilin bizneset shqiptare e kërkojnë që prej gjashtë vjetësh. Ngritja e këtij sistemi modern gjykatash do të bëjë të mundur trajtimin në mënyrë efektive dhe të drejtë nga gjykatës të specializuar të mosmarrëveshjeve mes individëve apo organizatave dhe institucioneve publike qendrore e vendore. Ngritja e Gjykatës Administrative do të sjellë përfitime për të gjithë qytetarët, duke pasur parasysh se mosmarrëveshjet administrative përfshijnë si ato në fushën e tatimeve, regjistrimit të biznesit, licencave apo prokurimeve, edhe mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me punësimin, pensionet dhe regjistrimin e pasurive”, - theksohet në komunikimin zyrtar. Administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, është shprehur për këtë çështje se futja në lojë e gjykatës do të amortizonte mjaft probleme që lindin mes biznesit dhe administratës. Por jo vetëm kaq. Por dhe probleme që ka mes qytetarëve dhe shtetit. “Konfindustria është pro ekonomisë së formalizuar, por nuk është dakord që penalizimet e biznesit të bëhen nga trupa të varura nga administrata. Nuk është dakord që si rrugë e vetme për biznesin e gjobitur të mbetet gjykata normale, e cila nuk është e specializuar për çështje të tilla”, - thotë Buxhuku.

Botohet raporti

FMN: Kriza financiare më pak e dëmshme

Humbjet e shkaktuara nga kriza financiare që filloi vitin e kaluar ishin rreth 600 miliardë dollarë. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, këto humbje ishin më pak se sa ishte parashikuar para 6 muajve. Sipas zyrtarëve të FMN-së, kjo mund të jetë për shkak të rritjes së konfidencës në ekonominë botërore. Në raportin më të fundit, FMN sugjeron se humbjet që ju shkaktuan bankave dhe institucioneve të tjera financiare tani kanë arritur në 3 pikë 4 trilionë dollarë. Raporti paralajmëron se ringjallja ekonomike do të jetë e ngadalshme, ndërsa bankat vazhdojnë ti riparojnë financat e tyre. Ekspertë për çështjet ekonomike thonë se kjo do të bëjë që bankat do të vazhdojnë të mos jenë të gatshme që të ofrojnë më shumë kredi për konsumatorët e saj. Gjithsesi, situata ekonomike dhe financiare në vendet e Evropës Juglindore dhe Qendrore paraqitet e përmirësuar, si rezultat i ndihmave financiare të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Komisionit Evropian, duke ndikuar në zbutjen e pritshmërive negative.

Bordi Ndërkombëtar

Përmirësim për parimet e kontabilitetit

Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit një ndër autoritetet përgjegjëse në vendosjen e standardeve të kontabilitetit është duke parë se si mund të përmirësohen standardet e kontabilitetit, nën dritën e krizës më të fundit financiare. Ato përbëjnë themelin mbi të cilin ngrihen standardet e veçanta, të cilat janë universale, sepse vlejnë për raportimin financiar të bizneseve të gjithë madhësive, në të gjithë sektorët e ekonomisë. Për tu konsideruar i dobishëm për marrjen e vendimeve, informacioni i dhënë përmes zbatimit të standardeve të kontabilitetit duhet të jetë, përcaktues, i besueshëm, i kuptueshëm dhe i krahasueshëm. Krahas parimeve që orientojnë vetë standardet, procesi përmes të cilit vendosen standardet duhet të mishërojë disa cilësi të caktuara. Besimi te cilësia dhe integriteti i standardeve varet nga pavarësia dhe transparenca e procesit të rregullt të organit vendosës të standardeve. Futja në tregjet publike të kapitalit është vetëm njëra prej zgjedhjeve që kanë në dispozicion institucionet bankare.

Zvarritjet e ligjit

Prej vitit të kaluar projektligji është zvarritur në komisione parlamentare dhe më pas nuk arriti të futej në agjendën e punimeve të legjislaturës që u mbyll në korrik të këtij viti. Pjesëmarrësit e fushatës në përkrahje të Gjykatës Administrative janë të angazhuar sërish të punojnë përmes takimeve me vendimmarrësit, bizneseve dhe qytetarëve në rrethe, si dhe një fushatë në media, por edhe me angazhimin e deputetëve, deri në miratimin me sukses të ligjit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›