E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset ankohen tek Tatimet: Nuk është rimbursuar TVSH

 

Fabiola Çela

Rimbursimi i TVSH për bizneset eksportuese ka qenë kryefjala e takimit të djeshëm mes biznesit dhe administratës tatimore. Shumë prej bizneseve janë ankuar se ende nuk kanë marrë rimbursimin e TVSH, por sipas tatimorëve për vitin 2008 janë rimbursuar plot 2.4 miliardë lekë TVSH. Inspektorët tatimorë dhe mosnjohja e ligjit nga ana e tyre është një tjetër problem që hasin bizneset. Takimi i djeshëm u organizua nga Dhoma Amerikane.
Biznesi
Jo pak herë bizneset janë ankuar se rimbursimi i TVSH-së kryhet me vonesë. Lidhur me këtë problem ekspertët e administratës tatimore kanë sqaruar se rimbursimi do të kryhet me ligj çka do të thotë 30 ditë kalendarike, pasi të jetë bërë kontrolli financiar. Por disa biznese kishin 10 muaj që nuk e kishin marrë rimbursimin edhe pse ju ishte bërë kontrolli financiar pas deklarimit të TVSH-së. Drejtuesit e Tatimeve kanë sqaruar se gjatë 2008 kanë rimbursuar rreth 2.4 miliardë lekë TVSH, por ndërkaq rezulton se gjatë këtij viti niveli i eksporteve është rritur me 47 për qind. Ndërsa ristrukturimi i sistemit tatimor ka sjellë disa lehtësira, duket se biznesi vazhdon të hasë në pengesa për të cilat nuk gjen përgjigje as tek ligji e as tek inspektori. Drejtuesit e Dhomës Amerikane në fjalët e tyre janë munduar të vendosin theksin në atë çka i shqetëson më shumë dhe kjo është jo ligji, por mënyra e zbatimit të tij. "Ne kemi folur shumë për ligjin dhe shumë nga problemet e biznesit nuk vijnë nga ligji, por nga mënyra se si ai zbatohet nga inspektorët ose më keq akoma nga mosnjohja e mirë e ligjit prej vetë tatimorëve", ka thënë në fjalën e saj Floreta Luli-Faber. Kështu biznesi është mjaft i shqetësuar nëse pas marsit, kur do të dorëzohen bilancet e reja kontabël dhe pasqyrat e reja financiare një mosnjohje e mirë e tyre, vonesa të shkaktuara nga mungesa e informacionit më keq akoma një mostrajnim i mirë i inspektorëve me këto ndryshime, mund të shoqërohet me një valë gjobash, që do të rëndojë drejtpërdrejt në kostot e biznesit aq më tepër, që me ligjin e ri ata nuk mund të kenë garanci bankare, por u duhet të paguajnë me kesh në dorë. Problemi i deklarimit të listëpagesave, të deklarimit të punonjëse të rinj apo atyre, që janë larguar të deklarimit të Sigurimeve Shoqërore të gjitha shoqërohen me gjoba, në rast se nuk bëhet deklarimi brenda 48 orëve. Kjo i shkakton mjaft probleme biznesit sidomos atij prodhues, që menaxhon forca të mëdha punëtore. Punonjësi i Tatimeve Erion Prifti, ka deklaruar se ky është një problem i njohur nga Drejtoria e Tatimeve dhe po punohet me intensitet për t'i dhënë zgjidhje të paktën brenda tre mujorit të parë të këtij viti. Ne po shikojmë mundësinë e deklarimit në mënyrë elektronike të numrit të punonjësve dhe të pagesave në mënyrë që t'i shkurtojmë kohë dhe burokraci biznesit. Gjatë takimit të djeshëm kreu i administratës tatimore Sefgjini u shpreh se "Ligji për procedurat tatimore" sjell edhe një tjetër risi dhe që ka të bëjë me kontrollin e drejtpërdrejtë mbi kompanitë. Sipas tij administrata e Përgjithshme Tatimore nuk mund të ushtrojë kontroll të drejtpërdrejtë mbi kompanitë e biznesit. Sefgjini theksoi se me ligjin e ri ka ndryshuar edhe struktura e administratës tatimore, duke sjellë edhe krijimin e sektorëve të rinj, siç është si i investigimit tatimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›