Kapet peshkaqeni gjigant në Sazan
VLORE - Një peshkaqen rreth 370 kilogramë ra në rrjetat e peshkatarëve të Vlorës paraditen e djeshme. Sipas peshkatarëve, gjahu ra në rrjeta gjatë peshkimit në veri të ishullit të Sazanit. Ky është peshkaqeni i parë i kapur për vitin 2009 në ujërat e Vlorës, ndërkohë që pritet që mishi i kësaj specie gjigante të detit të përfundojë në kuzhinat e restoranteve të qytetit. Sipas peshkatarëve, ata ishin nisur në det të hapur dje që në orët e para të mëngjesit me peshkarexhën "Melisa". Në orët e pasdites, kur ndodheshin në veri të ishullit të Sazanit, ata kanë nisur të mbledhin rrjetat. Por teksa po kryenin këtë punë, ata kanë hasur në një peshë të rëndë. "Fillimisht dyshuam se rrjeta mund të kishte kapur ndonjë objekt apo hekur. Por kur doli rrjeta në sipërfaqe pas rreth 30 minutash, pamë se ishte kapur një peshkaqen. Me vështirësi të madhe e hodhëm në peshkarexhë e më pas me mjete rrethanore e vramë", u shpreh njëri prej peshkatarëve, që kapi dje peshkaqenin e rrezikshëm. Peshkaqeni është 4 metra i gjatë dhe peshon rreth 370 kg. Ai i përket llojit me emrin "Pëllumb", ndërsa mësohet se është një specie e rrezikshme për njerëzit. Peshkatarët pohuan se gjahu i tyre ishte kapur në një thellësi prej 120 metra. Gjatë vitit 2008 janë kapur 3 peshkaqenë në ujërat e Vlorës, ku më i madhi ishte rreth 500 kilogramë. "Peshkaqeni ishte përpjekur të dilte nga rrjetat duke dëmtuar një pjesë të saj. Ndërsa thuajse gjithë peshkun që ishte në rrjetë e kishte dëmtuar", tha peshkatari i "Melisa" i cili ishte mjaft i kënaqur me gjahun e ditës së djeshme. q.b