E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Sejdiu, pakt për “Shengen”

 

Adi Shkembi

Presidenti Bamir Topi viziton Kosovën si zyrtari i parë i Shqipërisë që udhëton në këtë vend pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008. Kreu i shtetit u takua dje me homologun e tij kosovar, Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi, përfaqësues të partive politike si dhe të minoritetit në Kosovë, ndërkohë që mbajti edhe një fjalë para deputetëve. Gjatë vizitës së Presidentit në Prishtinë ra në sy mungesa e ministrave të qeverisë "Berisha" në delegacionin që e shoqëronte. Në delegacion merrnin pjesë dy kryetarët e Kuvendit dhe disa deputetë, por nuk ishte i pranishëm asnjë prej anëtarëve të kabinetit qeveritar.
Ndalesa e parë e Presidentit pas zbritjes në tokën kosovare ishte në përkujtimoren "NEWBORN", e cila është pika simbolike e ditës së madhe historike të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kreu i shtetit është ndalur për disa momente dhe ka lënë nënshkrimin e tij në njërën prej germave. Takimi i parë i Presidentit Topi ishte me Presidentin Sejdiu. Në bisedën mes delegacioneve, kreu i shtetit shqiptar vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera Shqipëri-Kosovë dhe theksoi angazhimin e plotë për thellimin dhe institucionalizimin e mëtejshëm në të ardhmen, ç'ka u konfirmua edhe gjatë vizitës së fundit të Presidentit Sejdiu në Tiranë. Në të njëjtën kohë, Sejdiu vlerësoi kontributin e Tiranës zyrtare në procesin e pavarësisë së Kosovës dhe periudhën pas saj. Në konferencën për shtyp, Topi tha se në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve do të ketë edhe masa konkrete për lëvizjen e lirë mes shtetasve. Për këtë, sipas Presidentit shqiptar, në tremujorin e parë të këtij viti do të nënshkruhet një marrëveshje dypalëshe. "Një marrëveshje e ndërtuar me hollësi, do t'u japë mundësi qytetarëve që të lëvizin pa pengesë dhe do t'u krijojë komoditetin e lehtësive të procedurave administrative", u shpreh Topi. Homologu i tij Sejdiu theksoi se marrëveshja mund të jetë shembull për Malin e Zi dhe Maqedoninë, madje mund të vihej në jetë edhe ideja e tij e kahershme për ndërtimin e një zone 'mini-Shengen", në Evropën Juglindore. Në takimin me homologun e tij, Topi tha se të drejtat e minoriteteve duhet të respektohen në Luginë të Preshevës, njësoj sikurse respektohen në Shqipëri dhe në Kosovë. Ai bëri thirrje që incidentet e fundit në veriun e Kosovës të hetohen nga institucionet e rendit. "Kosova dhe të gjitha institucionet e saj do të respektojnë të gjitha të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj. Çështja e respektimit të minoriteteve është përgjegjësi e të gjithëve. Ato duhet të respektohen në Shqipëri, Kosovë dhe në Preshevë. Puna e institucioneve kosovare në raport me komunitetet pakicë, duhet të jetë shembull edhe për Serbinë në raport me shqiptarët në Luginën e Preshevës", tha Presidenti Topi. Në konferencën e përbashkët për shtyp, kreu i shtetit kosovar vuri theksin te mbështetja që ka dhënë Shqipëria në njohjen e shtetit më të ri në Evropë. Sejdiu tha se "për ne është shumë e rëndësishme të nënvizojmë gjithë mbështetjen që ka dhënë me rrjetin e saj diplomatik në botë për njohjen e Republikës së Kosovës dhe ky përkushtim e mbështetje do të vazhdojë edhe më tej edhe gjatë proceseve ekonomike, edhe në shkurtimin e rrugëve dhe komunikimet sidomos me këtë, që mund ta quajmë edhe damar të jetës ekonomike, të jetës së përgjithshme, me rrugën Durrës-Prishtinë, damar që do të lehtësojë edhe punën tonë". Presidenti Topi u takua dje gjithashtu edhe me Kryeministrin Hashim Thaçi. I pyetur nga gazetarët nëse kishte menduar ndonjëherë për bashkimin e dy vendeve, kreu i shtetit tha se Shqipëria dhe Kosova do ta gjejnë bashkimin në Bruksel. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, falënderoi politikën shqiptare për mbështetjen dhënë Kosovës në shpalljen e pavarësisë dhe për angazhimet e saja për lobim të njohjeve të shtetësisë së Kosovës. Edhe ai theksoi përcaktimin e Qeverisë së Kosovës për integrime euroatlantike dhe shprehu besimin se të dyja vendet do të ecin drejt kësaj rruge.

Topi: Kosova tregoi se e meriton pavarësinë historike

Në ditën e parë të vizitës në Kosovë, kreu i shtetit mbajti një fjalim para deputetëve të Parlamentit të këtij vendi. Topi tha se, "ne e festuam këtë ngjarje së bashku me miqtë tanë. Ju e festuat këtë ditë me shumë dinjitet, duke habitur jo vetëm skeptikët, por edhe kundërshtarët e pavarësisë. Ju treguat, që në çastet e para, se e meritonit këtë pavarësi historike, se meritonit përgjegjshmëri ndaj shtetasve tuaj dhe se meritonit partneritet ndaj aleatëve euroatlantikë dhe miqve të huaj". Sipas kreut të shtetit, Shqipëria është e bindur se krijimi i shtetit të pavarur e sovran të Kosovës krijoi kushtet e nevojshme për zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm të të gjithë shoqërisë kosovare. "Jam shumë i lumtur që Presidenti i Kosovës, Parlamenti i saj, Kryeministri dhe Kabineti qeveritar gjithëpërfshirës po tregojnë, nëpërmjet pjekurisë e kulturës së tyre shtetformuese dhe politikës së tyre rajonale e të fqinjësisë, se dëshirojnë në mënyrë të sinqertë të ecin përpara së bashku. Jam këtu t'ju pohoj se Shqipëria do t'ju mbështesë dhe do t'ju inkurajojë në këtë rrugë të përbashkët: në rrugën e integrimit euroatlantik!", u shpreh më tej Topi. Sipas kreut të shtetit "Rruga Durrës-Morinë është investimi më i rëndësishëm infrastrukturor i Shqipërisë moderne. Nëpërmjet kësaj arterieje do të lëvizë zhvillimi, siguria, mirëqenia dhe burimet njerëzore jo vetëm të Shqipërisë dhe të Kosovës, por edhe të vendeve të Evropës Qendrore e Juglindore drejt porteve tona të Detit Adriatik për t'u bashkuar me korridoret e shpejta detare".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›