Policët e reformës, pa asistencë
RRESHEN - Si të mos mjaftonte largimi nga puna pashkak, dhjetëra ish-punonjës policie të Rrethit Mirditë kanë mbetur pa kurrfarë mbështetjeje financiare nga ana e shtetit. "Jemi përballur me elementë kriminalë dhe kontingjentë të rrezikshëm të policisë", thonë ish-efektivët e policisë, të cilët prej dy vitesh nuk i gëzohen asistencës së premtuar nga Ministria e Brendshme. Ata janë ndjerë më keq gjatë festave të fundvitit. "Të gjithë blinin ç'të mundnin për festa, ndërkohë ne nuk blemë dot as ushqime e sendet më të domosdoshme", tha njëri nga ish-punonjësit e policisë që priste para godinës së policisë për të mësuar diçka më shumë rreth fatit të tij. Të zënë ngushtë nga ana financiare shumë nga këta punonjës policie janë detyruar të marrin gjithçka me listë ose të marrin borxhe tek njerëzit e tyre të afërm. Disa herë ata thonë se i janë drejtuar me letra e telegrame Ministrisë së Brendshme, por nuk kanë marrë një përgjigje të saktë në lidhje me asistencën e munguar prej vitesh. h.p