E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, Berisha: Do e rivotojmë ligjin

 

adi shkembi

Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dje se do ta votojë sërish ligjin për hapjen e dosjeve të zyrtarëve të lartë nëse ai nuk do të dekretohet nga Presidenti Topi. Duke folur në një intervistë në TV Klan në emisionin "Opinion" të Blendi Fevziut, kreu i qeverisë u shpreh i vendosur në qëndrimin e maxhorancës lidhur me ligjin e dosjeve. Sipas tij, nëse kreu i shtetit do të vendosë që ta rikthejë sërish në Parlament pas kritikave të shumta të ndërkombëtarëve, maxhoranca do ta votojë atë ditën e nesërme të kthimit të ligjit. "Ky kapitull nuk do ishte hapur nëse s'do të përmbysnin ligjin ata që erdhën në pushtet në 1997. Por derisa ky kapitull është i hapur, kjo përbën një betejë politike. Ky kapitull mbyllet vetëm me procesin e lustracionit. Nëse Presidenti e kthen, do ta votojmë që të nesërmen pa asnjë lloj hezitimi. Nuk ka asgjë që mund të pengojë këtë vend të ndahet nga një krim, i cili është disa herë më i madh se sa ai që ka ndodhur në Çeki, Gjermani, Rumani dhe Bullgari të marra së bashku", u shpreh mbrëmë Kryeministri Berisha. Ligji i dosjeve ndodhet në tryezën e kreut të shtetit prej gati dy javësh dhe Topi ka afat edhe gjashtë ditë për të marrë një vendim nëse do e dekretojë apo do e kthejë në Parlament. Nga ana tjetër opozita ka paralajmëruar se nëse ligji do të dekretohet nga Presidenti, ajo do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese.
Prokuroria
Kreu i qeverisë kritikoi dje ashpër Prokurorinë e Përgjithshme për mënyrën se si po heton tragjedinë e Gërdecit. "Nëse Prokuroria s'ka lënë gjë pa nxjerrë nga dosja, përfshi edhe email-et e karakterit privat, do kishe të drejtë. Por Prokuroria nuk ka qenë e aftë të japë një fakt të vetëm. S'po e pengon njeri Prokurorinë. Mënyra si e nisi Prokuroria hetimin, tezat politike që shtroi në hetim janë të paprecedentë", u shpreh Berisha. Në të njëjtën kohë kreu i qeverisë kritikoi organin e akuzës, duke iu referuar rrahjes së një gazetari nga deputeti Tom Doshi pak kohë më parë. "Si mund të pajtohem unë kur një zyrtar shtyn si pemë përtokë një gazetar në prani të një deputeti tjetër në hotel 'Sheraton'. Del kryeministri dhe kryetarja e Parlamentit dhe e dënojnë dhe gjer sot zyrtarit nuk i hyn ferra në këmbë, Prokuroria s'ka guxim të kërkojë heqjen e imunitetit. Mora këtë që është rast shumë i rëndë", u shpreh më tej Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›