Nafta D2, shoqata përplaset me “ARMO”
Pas vendimit të qeverisë për vazhdimin e tregtimit të naftës D2, vetëm nga kompania vendase "ARMO", ka reaguar menjëherë Shoqata e Hidrokarbureve. Këta të fundit e quajnë vendimin e qeverisë për zgjatjen një vit të afatit të tregtimit dhe mbylljen e importit prishje të konkurrencës në treg. Por nga ana tjetër kompania "ARMO", deklaroi dje se do të bashkëpunojë me të gjithë tregtarët e tjerë, në mënyrë që të shmangë situatën monopol. Qeveria vendosi rreth 6 muaj më parë, që të lejojë kompaninë "ARMO" të tregtojë naftë D2 edhe për 3 vite. Pas ankesës së Shoqatës së Hidrokarbureve, qeveria e zvogëloi afatin në një vit, me kusht që "ARMO" të tregtojë në bashkëpunim me tregtarët e tjerë. Nafta D2 e importit është ndaluar që nga 1 janari.
Letra e Shoqatës
"VKM nr. 1110 datë 30.07.2008 i jep ekskluzivitet të plotë shoqërisë ARMO në tregtimin e gazoilit D 2 dhe ua heq këtë gjithë subjekteve të tjera importuese e tregtuese, duke detyruar konsumatorët të marrin vetëm prodhimin e rafinerisë së Ballshit që është një teknologji e viteve '50-të shekullit të kaluar. Me këtë vendim u merret biznesi gjithë subjekteve të tjera e i kalohet ky aktivitet vetëm një subjekti. Ju drejtohemi Ju me shpresën se ky është një keqkuptim. Ju si kryetar i opozitës në vitin 1999 keni dhënë një ndihmesë të madhe në prishjen e skemave monopolizuese të këtij sektori nga qeveria e asaj kohe. Ne nuk mund ta besojmë se Ju keni ndryshuar qëndrim dhe nga një përkrahës i zjarrtë i liberalizimit të tregut keni përqafuar idetë e ekskluziviteteve dhe të monopolizimeve të tregut. Ju kujtojmë qëndrimet tona i ka certifikuar dhe konsideruar të drejta Autoriteti i Konkurrencës. Ky Autoritet me Vendimin e tij nr.89 datë 30.12.2008 mbasi ka shqyrtuar përmbajtjen e VKM nr.1110 date 30.07.2008 ka vërejtur se diferencimi që bën ky vendim është një shtrembërim i konkurrencës dhe është në kundërshtim me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë (CEFTA), nenet 81, 82 dhe 86 të Traktatit të KE-së. Për këto shkaqe Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur t'i rekomandojë Këshillit të Ministrave shfuqizimin e VKM nr.1110 datë 30.07.2008. Ne jemi vënë gjithashtu në dijeni se po përgatiten akte të tjera, të cilat do të thellojnë këtë ekskluzivitet duke krijuar një monopol të dyanshëm, prodhim tregtim, në sektorin e hidrokarbureve. Shoqata e Hidrokarbureve kërkon edhe një herë ndërhyrjen Tuaj për rivendosjen e barazisë në tregun e karburanteve, në përputhje me traktatet e KE, me detyrimet e marra përsipër me MSA-në dhe OBT-në.
Reagimi i ARMO
Përfshirja në debatet e fundit e kompanisë "ARMO", e cila përfaqëson industrinë e vetme të përpunimit të naftës në vend, në vorbullën e së cilës fatkeqësisht është përfshirë dhe autoritetit i konkurrencës, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e dështuar për shkatërrimin përfundimtar të kësaj industrie, e cila përbën nga të paktat pasuri kombëtare të mbetura, me vlera të pallogaritshme për ekonominë shqiptare. Nuk ka tashmë as dhe një qytetar shqiptar i cili të mos kuptojë se kjo industri me teknologji të viteve '50, që nga krijimi i saj është shfrytëzuar maksimalisht dhe pa asnjë strategji për zhvillimin në standarde të teknologjisë bashkëkohore për shkak të kostos mjaft të lartë të këtij procesi. Në këto kushte, kur kjo industri ishte drejt një procesi të sigurt degradimi, shkatërrimi i së cilës nuk do të prekte vetëm 1500 punonjësit e saj, bizneset e lidhura me të, por drejtpërdrejtë dhe industrinë e nxjerrjes së naftës me rreth 5000 punonjës, e cila është e lidhur pazgjidhshmërisht jo vetëm nga sistemi i ciklit të mbyllur, për shkak jo vetëm të infrastrukturës ekzistuese, por dhe për cilësinë e saj të dobët, procesi i privatizimit mund të konsiderohet në mënyrë të padiskutueshme komardare shpëtimi për ekzistencën e kësaj industrie dhe shmangie e një situate katastrofale me humbje masive të vendeve të punës, e cila nuk do t'i shpëtonte dot një reaksioni zinxhir në të gjithë bizneset e lidhura me të.
Por në antitezë me këtë fotografi të zymtë, konsorciumi "ANIKA ENTERPRISES, RAFINERY OF TEXAS & MERCURIA ENERGY GROUP" menjëherë me pagesën e kryer nga ana e saj në datën 27 nëntor, të shumës prej 128,7 milionë euro, pa marrë akoma në dorëzim asetet e kompanisë, kreu aktin e saj të parë duke zyrtarizuar rritjen e pagës për punonjësit e kompanisë me 30%, duke filluar nga 1 dhjetori i këtij viti si dhe u shpërndau punonjësve nga dy paga shpërblim. Vlen të përmendet që në kushtet e një krize financiare botërore, ku po rrezikojnë falimentimin industri serioze në vende shumë të zhvilluara, qeveritë e tyre po aplikojnë një sërë paketash ndihmëse për t'u ardhur në ndihmë këtyre industrive për shkak të situatave tejet të rrezikshme, që mund të krijohen duke shkaktuar rënie ekonomike dhe papunësi masive. Ndërkohë, kompania "ARMO" jo vetëm që nuk ka asnjë ndihmë nga qeveria shqiptare, por megjithë vështirësitë e jashtëzakonshme, që ajo ka vazhdon të paguajë me rregullsi dhe në mënyrë të pandryshueshme të gjitha detyrimet ndaj shtetit, sikurse ka operuar dhe përpara privatizimit. Kompania "ARMO", deklaron me përgjegjësi se është e hapur dhe bashkëpunuese me të gjithë subjektet tregtare të karburanteve pa kryer asnjë diferencim duke shmangur çdo insinuatë për krijimin e bizneseve preferenciale pra dhe të një situate monopol. Periudha njëvjeçare e lënë në dispozicion nga qeveria shqiptare për të kryer ndërhyrjet e nevojshme për ndryshimin e teknologjisë së prodhimit të gazoilit, megjithëse është e pamjaftueshme do të kryhet brenda kësaj periudhe, siç është dhe e përcaktuar në kontratën e privatizimit të saj.