Mosmarrëveshje për vendin,dështon takimi Topi-Haradinaj
Dështon takimi mes Presidentit Bamir Topi dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj. Ky takim, i cili ishte parashikuar për t'u zhvilluar dje nuk u bë, pasi delegacioni shqiptar dhe përfaqësuesit e AAK-së nuk ranë dakord për vendin ku do të zhvillohej takimi. AAK-ja pretendonte se takimi ishte caktuar 10 ditë më parë që të mbahej në shtëpinë e Haradinajt në lagjen "Arbëria", por zyrtarët nga ambasada e Shqipërisë kanë insistuar që takimi të mbahej në hotelin "Grand" në Prishtinë. Ndërkohë kreu i shtetit ka pritur dje në hotel "Grand" për takimin me kreun e AAK-së, por Haradinaj nuk ka shkuar. Avni Arifi i AAK-së tha për "KosovaLive", se shkaktar për dështimit e takimit Topi-Haradinaj është protokolli i ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë. Arifi tha se u ra dakord para 10 ditëve me ambasadën e Shqipërisë që takimi të zhvillohej në selinë e partisë, ose në shtëpinë e liderit të AAK-së dhe ishte arritur akordi i dy palëve që takimi të zhvillohej në shtëpinë e Haradinajt. Por një zyrtar i ambasadës së Shqipërisë tha për "KosovaLive" në kushte anonimiteti, se Presidenti është lider shteti dhe nuk takohet me personalitete nëpër shtëpi private. Presidenti Topi ndodhet për një vizitë dyditore në Kosovë. Gjatë ditës së djeshme është takuar me liderët kryesorë shtetërorë dhe politik të vendit.