E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksportet, Qeveria fond garancie

16/02/2009  Sipas ministrit të Energjetikës, eksporti i energjisë do të vijojë edhe në mars

Ruli: 25 milionë euro për kreditimin e bizneseve në vështirësi

Plot 25 milionë euro ka vënë Qeveria në dispozicion të bizneseve që janë në vështirësi, si fond garancie. Nga këto, 22,5 milionë euro do të jenë për kreditimin e bizneseve të vogla dhe të mesme dhe 2,5 milionë euro për bizneset pa kolateral. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në kuadër të masave për zbutjen e efekteve të krizës globale në ekonominë shqiptare. Muajt e fundit të vitit, ashtu siç ishte parashikuar, është zyrtarizuar rënia e eksporteve shqiptare edhe në shifra konkrete. Ndërsa 2009 është parashikuar të jetë një vit i vështirë, ku edhe rritja ekonomike e vendit do të pësojë goditje.

Zbutja e efekteve

Sipas ministrit Ruli, është përcaktuar tashmë një fond garancie. “22,5 milionë euro do të përdoren për kreditimin e bizneseve të vogla dhe të mesme. Ky është fondi i përcaktuar nga Qeveria si garanci. Bizneset kanë mundësi që të marrin kredi nga 50 deri në 500 mijë euro, ndërsa për bizneset që nuk kanë kolateral është parashikuar edhe një fond kolaterali prej 2,5 milionë euro”, - është shprehur ministri i Ekonomisë. Shumë prej bizneseve vendase janë gjendur në vështirësi që prej tetorit të vitit të kaluar, duke paralajmëruar një rënie të fitimeve të tyre.

Energjia

Një prej masave të marra për të mos lejuar thellimin e mëtejshëm të deficitit tregtar është eksporti i energjisë. Gjatë këtij muaji Shqipëria ka eksportuar energji kryesisht drejt Greqisë dhe me një çmim shumë të favorshëm. Ky eksport do të vijojë edhe gjatë muajit mars, sipas ministrit të Energjetikës. “Dyfishuam në 10-ditëshin e fundit eksportin, kryesisht me Greqinë. Do të shohim si do të jemi pa cenuar garancinë e rezervave që do të na duhen për stinën e verës, që në muajin maj të vazhdojmë eksportin e energjisë”, - tha Ruli. Ministri i Ekonomisë shpjegoi se një vendim i tillë është marrë pasi brenda vitit do të përfundojnë investimet në disa vepra energjetike, si TEC-i i Vlorës apo linja e interkonjeksionit me Malin e Zi. Ndërsa HEC-i i Kalivaçit përfundon në vitin 2010.

Eksportet

Rënia e eksporteve ka shkaktuar përkeqësimin e bilancit të tregtisë së jashtme gjatë tremujorit të katër të vitit të kaluar. Nga të dhënat zyrtare të INSTAT-it rezulton se deficiti tregtar është thelluar ndjeshëm gjatë periudhës tetor-nëntor, duke shënuar nivelet më të larta të gjithë vitit. Në tetor ky deficit shënoi rekordin e 32.9 miliardë lekëve, ose një rritje prej 25 për qind kundrejt shtatorit. Një muaj më vonë, nëntor deficiti tregtar arriti në 29.8 miliardë lekë, ose një rritje 13 për qind në krahasim me muajin shtator. Qeveria do të jetë e detyruar të ndryshojë parashikimet e saj për rritjen ekonomike të vendit, ashtu siç bëri edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke e çuar në jo më shumë se 3,5 për qind. Viti 2008 sipas Ministrisë së Financave dhe FMN-së u mbyll me një rritje prej 6 për qind. Gjithsesi, shifrat e INSTAT-it do të jenë ato që do të japin një kuadër më të plotë për rritjen ekonomike gjatë vitit të lamë pas.

Dërgesat

Rënia e të ardhurave nga emigrantët është një ndër pasojat e krizës financiare globale, që ka filluar të ndihet në vendin tonë. Gjatë 11 mujorit të vitit 2008, sipas Bankës së Shqipërisë dërgesat nga emigrantët ishin rreth 947 milionë euro ose 1.1 për qind më shumë se një vit më parë. Sipas ekspertëve të sistemit bankar, ky sektor i ekspozuar ndaj "goditjeve" të ambientit ekonomik botëror çka pritet të reflektojë rënie të parave nga emigracioni dhe shtrëngim të kushteve të financimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›