Leku vazhdon rënien e lirë, ndërsa interesat e bonove reagojnë, pas uljes së normës bazë të interesit
Dollari tregtohet mbi 100 lekë
Dollari amerikan e ka mbyllur javën me një zhvlerësim të lehtë prej 0.4 lekësh, por duke u treguar mbi 100.5 lekë. Ndërkohë që leku shqiptar vazhdon të zhvlerësohet ndaj të gjitha monedhave të huaja. Euroja i është afruar kuotës së 130 lekëve, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, duke e mbyllur javën me disa pikë përqindje. Zhvlerësimi i lekut sjell një rritje të kostos së kredive, dhe shtrenjtim të çmimeve për ato produkte që importohen. Ndërkohë, interesat e bonove të thesarit, që qeveria i emeton për të siguruar fonde, kanë pësuar një rënie të lehtë në ankandin e fundit të organizuar nga Banka e Shqipërisë. Ashtu siç pritej, pas uljes së normës bazë të interesit me 0.5 për qind, duke u fiksuar në 5.75%, në ankandin e fundit, ato janë ulur me rreth 1 për qind. Interesi mesatar i ponderuar në ankandin e fundit u ul në 8.79%, ndërkohë që në ankandin e kaluar ai kishte arritur në 8.9% për bonot e thesarit me afat maturimi 1 vit. Bankat e nivelit të dytë ofruan 7.6 miliardë lekë, nga 6.8 miliardë që ishte shuma e shpallur. Në këtë ankand u pranuan kërkesat për rreth 6.5 miliardë lekë. Kjo u konfirmua edhe nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, gjatë një takimi të zhvilluar në Korçë. "Më vjen mirë të konstatoj se sistemi bankar ka reaguar tashmë. Është evidentuar një rënie e normave në tregun ndërbankar dhe në yield-et e bonove të thesarit",- tha Fullani. Shtrëngimi i kushteve të kreditimit i ka orientuar bankat në këtë lloj investimi, në një kohë që edhe kostoja e depozitave është rritur. Guvernatori deklaroi se periudha e hezitimit të individëve ndaj bankave ka përfunduar.
Kongresi miraton paketën 787 miliardë dollarëshe
Kongresi Amerikan aprovoi paketën prej 787 miliardë dollarësh, të Presidentit Amerikan Barak Obama, për të stimuluar ekonominë amerikane, e cila ndodhet në krizë prej disa muajsh. "Kjo nuk do të zgjidhë problemet tona brenda natës, por do të nisë procesin. Do t'i japë Amerikës besimin se ne mund ta kapërcejmë krizën", - tha Daniel Inouye, Kryetari i Komitetit të ngritur për këtë çështje në senat. Votimi i paketës antikrizë zgjati disa javë në debatin sesi Kongresi mund të stimulonte më mirë ekonominë që po vuan nga norma e lartë e papunësisë prej 7.6% dhe një krize bankare, që pothuajse ka ngrirë kreditimin. Ndërkohë, ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave Qendrore të G7-ës, gjatë takimit të djeshëm në Romë, diskutuan mundësitë për daljen nga kriza ku është përfshirë thuajse i gjithë globi. Në fund të takimit dyditor, "Financial Times" raporton se ato pritet të dalin me një zotim për të shmangur proteksionizmin, në mënyrë që të mos dëmtojnë tregtinë e lirë dhe ekonomitë e njëra-tjetrës.