Bizneset e huaja: Mungesa e gjykatës administrative pengon investimet

Kryetarja e Kuvendit, takim me dhomën amerikane të tregtisë Topalli: Parlamenti do të avancojë më shumë në konsolidimin e partnershipit me biznesin
Bizneset e huaja kërkojnë miratimin e gjykatës administrative. Mungesa e kësaj strukture është bërë pengesë serioze për investimet e huaja në vend. Kjo gjë u theksua dje në takimin që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi me bizneset e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Ata kanë kërkuar gjithashtu që qeveria të jetë transparente në planifikimin e buxhetit fiskal ku duhet të përfshihet dhe mendimi i bizneseve. Kërkesa e përsëritur e bizneseve për gjykatën administrative ka rënë në vesh të shurdhër përsa i përket opozitës. Partia Socialiste edhe pse është shprehur parimisht dakord me këtë projektligj madje dhe ka votuar pro gjatë diskutimit të tij në komisionet parlamentare, refuzon të japë votat në Parlament.
Topalli-bizneset amerikane
“Në dy vitet e ardhshme parlamenti do të avancojë më shumë në konsolidimin e partnershipit me biznesin”, - premtoi dje Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ftuar në një mëngjes pune me krerë të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe përfaqësues të biznesit shqiptar. Gjatë këtij takimi Kryeparlamentarja shprehu bindjen se partneriteti mes institucioneve publike dhe sektorit privat çon në avancimin e mëtejshëm të biznesit, të ekonomisë, të inovacionit, në të mirë të qytetarëve. Duke vlerësuar maksimalisht bisedën me Kryetaren Jozefina Topalli, krerët e Dhomës Amerikane dhe përfaqësuesit e biznesit theksuan rëndësinë që ka mbështetja e parlamentit dhe partnershipi me institucionet shtetërore, veçanërisht me legjislativin. Biseda miqësore dhe e hapur vijoi me diskutime mbi ide e projekte konkrete bashkëpunimi për vijimin e dialogut për nxitjen dhe konsolidimin e partneritetit parlament-biznes. Ndër të tjera, administrimi i TVSH-së, çmimet e referencës, procedurat doganore dhe taksat vendore ishin temat, për të cilat bizneset kërkuan mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë, aty ku miratohen ligjet. Gjithashtu, bizneset e Dhomës Amerikane kërkuan nga kryetarja e Kuvendit, Topalli, për promovimin e investimeve, për reduktimin e informalitetin, për planifikimin urban etj. Gjykata administrative ka tashmë mëse dy vite që është në sirtarët e kuvendit pa mundur të miratohet për shkak të votave të opozitës. Socialistët kanë votuar në komisione pro këtij projektligji, por kushtet e tyre politike kanë shërbyer si pengesë për miratimin në seancë plenare të draftit të shumëkërkuar nga biznesi. Në bazë të këtij projektligji të rëndësishëm, biznesi do të mbrohet nga praktika abuzive të administratës shtetërore dhe do ta ketë më të lehtë dhe të shkurtër, shqyrtimin e ankesave të tyre. Praktikisht, gjykimi i çështjeve me këtë projekt, do të realizohet brenda një afati dy mujor. Ku një muaj, kërkon ankesa e biznesit në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe një muaj më pas në Gjykatën e Apelit.
Hoxha: Bizneset britanike kërkojnë garanci nga drejtësiaKërkesës për të votuar sa më shpejt gjykatën administrative i bashkohen dhe bizneset britanike. Zenel Hoxha, kryetar i Dhomës Britanike të Tregtisë thekson se nuk mund të shtyhet më vënia në jetë e këtij projektligji që ka mëse dy vite që është gati. Sipas tij, nga kontaktet me sipërmarrës të huaj, lind gjithmonë pyetja se a është ngritur kjo strukturë në vendin tonë. “Një nga pyetjet që bëjnë investitorët britanikë në rastin konkret është në rast se në rast se ne kemi probleme kontraktuale apo juridike, ne do të kemi një gjykim korrekt, sipas standardeve ndërkombëtare për sa i përket kohëzgjatjes etj. Kjo gjykatë do ta bënte më të lehtë punën tonë. Do të kontribuonte shumë për imazhin e Shqipërisë. Do të përmirësonte shumë atë pjesë të imazhit që është drejtësia”, - ka pohuar ai për “ABC news”-in se nuk mund të shtyhet më vënia në jetë e kësaj gjykate, e cila është rikthyer në Parlament për t’u votuar. Zoti Hoxha tregon për një interes në rritje të investitorëve anglez drejt turizmit shqiptar dhe kjo sipas tij, falë klimës së mirë, që është krijuar për bizneset. “Është shprehur interes për prodhimin e veshjeve dhe të këpucëve. Ne kemi mirëpritur disa kompani me emër nga Britania e Madhe. Kjo do të bënte të mundur shndërrimin e fasonëve shqiptarë në eksportues të drejtpërdrejtë”, - thotë ai.
Seanca plenare, Gjykata Administrative sërish sot në rend diteProjektligji për gjykatën administrative është futur sërish sot në rendin e ditës. Në kërkim të votave të opozitës Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli po përfshin në çdo seancë projektligjet që kërkojnë 84 vota, por gjithçka mbyllet me një debat mes kryetarëve të dy grupeve parlamentare, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi. Pika e katërt e rendit të ditës të seancës së sotme plenare është pikërisht projektligji “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative” ndërsa vijojnë më tej dhe projektligjet “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, “Për një ndryshim në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, “Për disa ndryshime she shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”, “Për një shtesë në ligjin nr. 10.040 datë 22.12.2008 “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë” dhe projektligji “Për transmetimet me zë dhe/ose me zë e figurë në Republikën e Shqipërisë”.