Qeveria miraton shpërblimet, për kryetarin dhe anëtarët e Kontrollit të Brendshëm
Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, u miratua vendimi “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Financave. Ky vendim parashikon masën e shpërblimit të kryetarit dhe anëtarëve të Bordit të Menaxhimit për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik, Shpërblimi do të jetë përkatësisht, 20 mijë lekë për kreun e Bordit dhe 15 mijë lekë për çdo pjesëmarrje në mbledhje, por jo më shumë se 4 herë në vit. Gjithashtu është miratuar edhe vendimi për “Statusi i nëpunësit civil”, i cili ka si funksion kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”
Sipas këtij vendimi në kryeministri, pozicionet “Drejtor i Departamentit të Legjislacionit dhe Koordinimit”, “Drejtor i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsionit” dhe “Drejtor i Departamentit të Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj”, do të marrin shpërblime në masën 8 mijë lekë, ndërsa pozicionet “Jurist në Departamentin e Legjislacionit dhe Koordinimit”, “Koordinator pranë sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave”, “Inspektor në Departamentin e Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsionit” dhe “Koordinator në Departamentin e Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj”, marrin shpërblime në masën 10 mijë lekë në muaj. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2011, të përballohen nga fondet e planifikuara për kryeministrinë, po për vitin 2011.