Bizneset e mëdha, zvogëlohet numri i kompanive me shumë të punësuar
Numri i bizneseve të mëdha apo i kompanive të cilat përbëjnë bazën e ekonomisë së vendit, pasi punësojnë shumë punonjës dhe paguajnë taksa, në vend zë një numër fare minimal. Edhe pse për administratën tatimore kjo gjë mund të jetë thjesht dhe vetëm çështje shifrash, për ekonominë e vendit kjo gjë përbën një fakt tronditës. Numri i ndërmarrjet me më shumë se 250 punonjës në Shqipëri është 90 syresh, ndërsa numri i ndërmarrjeve me më shumë se 80 punonjës është vetëm 350 subjekte. Të dhëna zyrtare të marra nga Drejtoria e Bizneseve “VIP” pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme e Tatimeve, bëjnë të ditur se numri i subjekteve të biznesit apo ndërmarrjeve që kanë zënë me punë një numër punonjësish nga 1 deri në 80 zë 99 për qind të të gjithë numrit të ndërmarrjeve në Shqipëri. Për pasojë është e qartë se Shqipëria është një vend, ku numri i bizneseve që punësojnë më shumë se 80 punonjës është vetëm 1 për qind e gjithë totalit të tyre. Aktualisht, në Shqipëri veprojnë mbi 81 mijë subjekte të biznesit, edhe pse numri i tyre është varjabël (i ndryshueshëm). Në lidhje me shpërndarjen gjeografike të bizneseve, zona Tiranë-Durrës zotëron numrin më të madh të tyre me 51 për qind të numrit të bizneseve dhe me rreth 57 për qind të të gjithë numrit të të punësuarve në shkallë vendi.
Bizneset e vogla, ulet ndjeshëm numri i të punësuarve në këtë sektor
Shqipëria është një vend, ku numri i bizneseve të vogla dhe mesme rritet me rreth 15 për qind në vit. Në këtë shifër nuk është e qartë se sa është pjesa e ndërmarrjeve që çelen rishtas dhe se sa është pjesa e atyre që thjesht regjistrohen rishtas, për shkak të kontrolleve të administratës së tatimeve. Sipas të dhënave zyrtare nga DPT-ja, vihet re se edhe sasia e kredive të dhëna nga bankat private në Shqipëri për subjektet e biznesit, është e përqendruar siomos në zonën Tiranë-Durrës. Në zonën e veriut janë dhënë vetëm 5 për qind të totalit të të gjithë kredive. Në zonën e Shqipërisë së mesme sasia e kredive është 6 për qind e totalit të tyre. Me gjithë peshën e madhe të bizneseve të vogla dhe të mesme në ekonomi dhe më gjithë numrin e konsiderueshëm të punonjësve që ato zënë me punë, të dhënat bëjnë me dije se rritja e tyre është shumë e ngadaltë dhe numri i njerëzve që ato zënë me punë mbetet i njëjtë për disa vite ose rritet me shumë pak. Kështu, gjatë dy viteve të fundit numri i njerëzve që janë punësuar rishtas nga biznesi i vogël, është më pak sesa 7 mijë individë. Kjo është një e dhënë aspak e vërtetë, pasi këto biznese përbëjnë 99 për qind të të gjitha bizneseve të vendit. Një tejtër problem i konstatuar nga organet tatimore është dhe fenomeni i fshehjes së punonjësve, ku në pjesën më të madhe subjektet private nuk kryejnë deklarimin real të të punësuarve që kanë, me qëllim shmangjen nga shumë detyrime shtetërore.
28 Korrik 2008