Falimentojnë bizneset, në dy vite mbyllin aktivitetin mbi 3370 subjekte private
Ervin Koçi
Kriza ekonomike në vend, taksat e larta për biznesin dhe të bazuara në sistemin e vjetër fiskal, si dhe rënia e fuqisë blerëse, po çon përditë drejt falimentimit dhe mbylljes së aktivitetit dhjetra subjekte private. Edhe pse shifra të tilla mbahen “sekret” nga qeveria dhe Tatimet, duke mos u raportuar në asnjë analizë apo informacion zyrtar, përsëri në evidencat e tyre shënohet edhe numuri i bizneseve që aplikojnë për t’u çregjistruar nga skema e tatimeve. Deri tani janë plot 3370 biznese që kanë aplikuar për të çregjistruar aktivitetin e tyre pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke kërkuar që të mbyllin licencën. Lajmin e bëjnë të ditur për gazetën “Albania” burime nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, të cilët thonë “se subjektet bëjnë një kërkesë të tillë me pretendimin se nuk i përballojnë dot taksat dhe qeranë, në një kohë kur ka rënë fuqia blerëse dhe konsumi”. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, kërkesa për aplikimin e çregjistrimit është bërë kryesisht nga subjekte të biznesit të vogël, por nuk kanë munguar as rastet kur edhe subjektet “VIP” kanë aplikuar për procedurat e falimentimit. Në këta të fundit zyrtarët e QKR-së, përmendin firma ndërtimi, firma dhe kompani të prodhimit në agro-industri, por edhe kompani transporti, të cilat janë në prag të shkrirjes së aktivitetit. Sipas zyrtarëve të QKR-së që kanë kërkuar të mbeten anonim për arsye të vendit të punës, “kërkesat e falimentimit mund të jetë bërë edhe në periudha të ndryshme gjatë këtyre dy viteve të fundit, madje njihen edhe raste kur kompani të veçanta kanë më shumë se 5-6 vjet në pritje të procedurave burokratike për çregjistrimin zyrtar, edhe pse ato kanë falimentuar më parë dhe tani thuaj se nuk ekzistojnë më”.
Çregjistrimi i subjekteve
Në Qendrën Kombëtare për Regjistrimin e Biznesit, është e vështirë të marrësh informacione mbi subjektet e biznesit që deklarojnë falimentimin dhe që mbyllen. Kjo për faktin se direktivat politike aty janë të qarta. “Duhet folur vetëm për arritje dhe suksese”. Këtë e deklarojnë zyrtarisht edhe drejtuesit më të lartë të QKR-së të cilët flasin për një numër rekord biznesesh të regjistruar në të gjithë vendin, numër që sipas tyre “aktualisht arrin në rreth 110 mijë subjekte”. Por kjo mbetet për tu verifikuar. Ajo çka është më reale është fakti që sipas të dhënave të marra nga QKR-ë, totali i çregjistrimeve nga fillimi i vitit është 780 biznese. Nga këto, në qershor janë bërë plot 301 çregjistrime, në maj 291, në prill 117 çregjistrime, ndërsa janari, shkurti dhe marsi kanë qenë përkatësisht me 1, 62 dhe 8 çregjistrime sipas tabelës. Një fluks të madh pune ka pasur sipas të dhënave edhe në lidhje me korrigjimin e të dhënave gjatë gjashtë muajve, numri i të cilave kap shifrën prej 1395 korrigjimesh.
Arsyet e falimentimit
Sipas specialistëve të tatimeve por dhe të QKR-së, arsyet që çojnë subjetet private drejt mbylljes, kryesisht ato të biznesit të vogël dhe ambulant janë të ndryshme. Sipas tyre një nga arsyet që ata hasen më shpesh janë falimentimi për shkak të rrjes së qerasë të objektit ku zhvillohet biznesi dhe rënies së xhiros si pasojë e ujes së fuqisë blerëse. Kjo e fundit është kthyer në një fenomen dominues sidomos gjatë dy viteve të fundit, çka ka detyruar me dhjetra subjekte të dështojnë në ushtrimin e aktivitetit kryesisht tregtar, duke falimentuar dhe duke mbyllur aktivitetin. Një tjetër arsye, madje nga më kryesoret është marrja e borxheve të shumta nga subjekte të ndryshme, apo e kredive bankare, e madej muntgesa e fuqisë shlyerse të këtyre borxheve. Kjo gjë i kthen bizneset në subjekte debitore si ndaj shtetit ashtu dhe ndaj privatit (bankave, fondacioneve ose individëve kreditues). Edhe ky shëndërohet në një prej arsyeve që çojnë një subjekt drejt falimentimit (në rastin më të mirë), ose drejt sekuestrimit të aseteve dhe kapitaleve të paluajtëshme, nga shteti ose privati (bankat). Të tjera arsye të falimentimit janë ndryshimi i destinacionit të një biznesi dhe humbja e klientelës, keqmexhimi i tij, mungesa e përvojës në një aktivitet kryesisht prodhues ose shërbimsh, konkurenca, ndarja ose mosmarrëveshjet mes ortakëve (në ortakëri), vdekja e pronarit kryesor, ose emigrimi i drejtuesve.
28 Korrik 2008