E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrat e QKR-së më tepër punë në Tiranë dhe Durrës



Në 11 bashkitë e vendit ka tashmë zyra të Regjistrimit të Bizneseve, ku Tirana dhe Durrësi kanë nga 4 sportele, ndërsa bashkitë e tjera nga 2. Që prej fillimit të vitit janë regjistruar plot 13.048 biznese të reja në listat e QKR-së, nga të cilat 4878 janë bërë në qendër dhe 1347 janë bërë në sportelet e Bashkisë së Tiranës dhe 1168 janë bërë në sportelet e Bashkisë së Durrësit. Kjo qendër ka bërë të mundur realizimin e regjistrit tregtar elektronik të të gjitha kompanive të regjistruara në Shqipëri, sipas modelit të direktivave të BE-së. Sipas ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, “QKR-së iu deshën 6 muaj të rregullonte atë çka ishte bërë mbrapsht në regjistrimin e shoqërive tregtare shqiptare për 14 vjet, për arsye se trashëgoi një arkiv të tërë me dokumentare nga të gjitha gjykatat e vendit me të gjitha problematikat në këto dosje”. Po kështu është mbyllur edhe procesi i skanimit dhe indeksimit të të gjitha dosjeve të regjistrimit në gjykata të bizneseve. Me anën e regjistrimit në QKR, gjithë bizneset kanë një mundësi për të kontrolluar në mënyrë elektronike dosjet e tyre, të krijuara që nga viti 1991. Çdo qytetar, kudo qoftë, që dëshiron të nisë një biznes të ri, të çfarëdolloj dhe madhësie, ka të gjithë mundësitë që brenda një dite në një sportel dhe vetëm me 100 lekë pagesë të regjistrojë biznesin. QKR-ja u shërben gjithashtu të gjitha bizneseve të tjera që kanë aktivitet prej kohësh, por që duan të kryejnë ndryshime në to, sikurse mund të jetë edhe ndryshimi i statusit aktual të biznesit. Pas përpunimit të dokumentacionit në mënyrë elektronike pas marrjes së të dhënave nga klienti pranë sporteleve të QKR-së, çertifikata e regjistrimit shoqërohet bashkë me numrin e NIPT-it.

Remontet në rrjet, shqiptarët deri në 6 orë pa drita në ditë

Në gjithë vendin, OSSH-ja ka vendosur regjimin e ri të ndërprerjeve në furnizimin me energji elektrike. Gjirokastra, Përmeti e Tepelena po përjetojnë 5-6 orë “remonte” në ditë.
Në të gjitha rrethet e Shqipërisë, me përjashtime të pakta, që prej disa javësh duket se është konsoliduar një regjim ndërprerjesh në furnizimin me energji elektrike për konsumatorët. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes i cili kontrollon tashmë furnizimin me energji, sikurse ishte paralajmëruar, ka filluar një fushatë të paparë “remontesh” në të gjitha linjat e mundshme, rezultati i të cilave është i njëjtë me regjimin e mëparshëm të ndërprerjeve, të cilin banorët e vendit e njohin mirë. Veçse, ndryshe nga më parë, kur oraret e kufizimeve i dinin të gjithë, tani ndërprerjet janë pa grafik, gjë që shkakton probleme më të mprehta për konsumatorët. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, jo më larg se katër ditë më parë, tha për mediat se “rezervat hidrike janë të mjaftueshme për një furnizim pa ndërprerje të konsumatorëve me energji elektrike”. Në këtë rast, nga pasqyra e errët e “remonteve” mund të arrihet në konkluzionin se në OSSH-ë, po punohet për të ruajtur sa më shumë rezerva ujore të liqeneve të hidrocentraleve për periudhën e ardhshme, para zgjedhjeve parlamentare.

Privatizimi i “ARMO”-s, negociatat mbyllen javën tjetër

Negociatat për privatizimin e kompanisë së naftës “ARMO” janë brenda afatit dhe po ecin pozitivisht. Sipas ministrit Ruli, “javën që vjen përfundon edhe afati i parë i dhënë dhe jemi shumë afër përfundimit të disa aspekteve teknike të kontratës”. Aktualisht Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës po zhvillon negociata me konsorciumin amerikano-zviceran "Refinery Associates of Texas, Anica Enterprises & Mercuria Energy Group", fituese për blerjen e 85 për qind të aksioneve të kompanisë “ARMO”. Mësohet gjithashtu se, negociatat, ku merr pjesë dhe kompania konsulente e privatizimit të “ARMO”-s, amerikanja "Pattom Boggs", po ecin mirë dhe synohet që ky proces të mund të përfundojë shumë shpejt. Kompania u shpall fituese për një çmim të ofruar për rreth 125 milionë euro dhe me një normë investimi për tre vitet e ardhshme në masën e 300 milionë eurove. Në muajin qershor, qeveria shpalli fitues konsorciumin amerikano-zviceran "Refinery Associates of Texas, Anica Enterprises & Mercuria Energy Group", për blerjen e paketës kryesore të kompanisë “ARMO”, në bazë të vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në METE-s, si dhe ngarkoi Ministrinë e Ekonomisë, për negocimet dhe nënshkrimin e marrëveshjes me kompaninë fituese.

28 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›