Siguria për digat mbi lumenjtë Drina dhe Mat do të kushtojë 35.7 milion dollarë
Komisioni Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese miratoi marrëveshjen e financimit me Shoqatën Ndërkombëtare për Zhvillim “IDA” për projektin "Siguria e digave" në hidrocentralet e kaskadave të lumenjve Drin dhe Mat. Sipas relacionit bashkangjitur këtij projektligji, projekti zbatohet në kuadër të një programi rajonal për Evropën Juglindore i quajtur “ECSSE APL 5”. Objektivat e tij janë rritja e sigurisë së digave të hidrocentraleve më të mëdha të sistemit elektroenergjetik shqiptar, në kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat, si dhe rritja e cilësisë së furnizimit me energji elektrike, nëpërmjet rritjes dhe përmirësimit të efiçencës së prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike. Projekti "Siguria e digave" ka një rëndësi parësore për sistemin elektroenergjetik dhe për Shqipërinë, nisur nga ndikimi në parandalimin e katastrofave që mund të shkaktohen nga dëmtimet në këto diga. Financimi i IDA-s do të jetë sipas kushteve standarte konçensionale, me një periudhë maturimi prej 20 vitesh, ndërsa periudha pa pagesë principali është parashikuar 10 vite.
Bonot e thesarit të qeverisë dominojnë në 6 muaj tregun e letrave me vlerë
Tregu me pakicë i letrave me vlerë të qeverisë gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2008 u dominua në masën 96.56 për qind nga transaksionet në instrumenta afatshkurtër, bono thesari dhe 3.44 për qind nga instrumenta afatgjatë ose obligacione. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Agjencia e Mbikqyrjes Financiare, nisur nga pjesëmarja (numër transaksioni) sipas llojit të invesitorëve individëve apo persona juridikë shihet se në peshë specifike më të lartë janë invesitorët individë me 98.61 për qind të totalit të transaksioneve në këtë treg. Transaksioni i llojit B "Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar" ka pësuar një ulje të lehtë prej 62.82 milionë lekë, ose 1.27 për qind krahasuar me periudhën janar-qershor të vitit 2007 dhe numri i transaksioneve të këtij lloji po ashtu ka pësuar një ulje prej 1.41 për qind. Transaksioni i llojit C "Blerje nga individët para afatit të maturimit" ka pësuar një ulje prej 33.45 milionë lekë, ose 10.95 për qind krahasuar me janar-qershor 2007 dhe numri i transaksioneve të këtij lloji po ashtu ka pësuar një ulje prej 2.19 për qind. Kjo ulje në vlerë absolute të totalit të transaksioneve të llojit B dhe C në krahasim me të njejtën periudhë të vitit 2007 kap vlerën 96.27 milion lekë ose 1.83 për qind.
Ujrat e zeza të Tiranës, qeveria merr 66.2 milion euro kredi nga Japonia
Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese miratoi dje kredinë me qeverinë japoneze prej 66.2 milion eurosh për realizimin e projektit "Përmirësimi i Sistemit të Largimit të Ujërave të zeza për Tiranën e madhe". Kredia, e cila i jepet qeverisë shqiptare nga Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar “JBIC”, është me terma të favorshme, me afat shlyerje prej 40 vjetësh, ndërkohë që vetëm pas 10 vjetësh do të fillojë shlyerja e principalit. Në tërësinë e tij, projekti parashikohet të realizohet në tre faza. Faza e parë synon kryesisht qendrën e Bashkisë së Tiranës, aty ku edhe ndërhyrja është më e nevojshme. Agjenci Zbatuese për këtë projekt do të jetë Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, nëpërmjet Drejtorisë se Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve. Qyteti i Tiranës ka një sistem të vjetëruar të kanalizimeve që daton nga vitit 1960 dhe nuk disponon asnjë Impiant Trajtimi të Ujërave të Zeza.
Nafta bie në 127 dollarë për fuçi në bursa, çmimi në vend nuk ndryshon
Çmimet e naftës u ulën me më shumë se 5 dollarë për fuçi dje në tregun ndërkombëtar, duke rimarrë rrugën drejt rënies pas një korrigjimi afatshkurtër të hënën në mbrëmje. Senati amerikan po konsideron masa për të ndaluar spekulimet me tepri në tregjet e naftës pasi dokumenti i mbështetur nga demokratët mori miratimin procedural të hënën për një debat. Ndërkohë, T. Boone Pickens, një investitor multimiliarder nafte, paralajmëroi se çmimet e naftës do të rriten deri në 300 dollarë për fuçi në dhjetë vjet në rast se SHBA-të nuk arrijnë të ulin varësinë e vet nga nafta e importit. Nafta e Teksasit ra me 5.04 dollarë në 126 dollarë për fuçi dje, pasi shënoi kuotën më të ulët në 125.63 dollarë. Këto çmime janë të vlefshme për kontratat e dorëzimeve në gusht. Në Londër, nafta ra në 128 dollarë për kontratat e dorëzimit në shtator. Rënia e çmimeve pritet të pasqyrohet edhe në Shqipëri, por së paku me një muaj vonesë. Sytë e botës janë drejtuar nga Kina. Arsyeja e rënies aktuale të çmimeve qe pikërisht lajmi se kërkesa kineze për naftë më në fund po ndalet.
Qendra Kombëtare e Licencave i shton fondet nga buxheti Ministrisë së Ekonomisë
Ngritja e Qendrës Kombëtare të Licencave, në Tiranë, ka bërë që Ministrisë së Ekonomisë t’i shtohet dhe me 7.382 milion lekë fondi nga Buxheti Suplementar i Shtetit për vitin 2008. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe për zbatimin e tij ngarkohet Ministria e Financave. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Këshilit të Ministrave ku në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 21 e 27, të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, “Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, u vendos që: METE-s, në buxhetin e miratuar për vitin 2008, në programin “Mbështetje për zhvillim ekonomik”, t’i shtohet fondi prej 7.382.460 lekë, për përballimin e shpenzimeve për konsulencën lokale, për ngritjen e Qendrës Kombëtare të Licencave, në Tiranë.
24 Korrik 2008