E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi PS, ndryshimet qe priten ne kupolen drejtuese

Haxhiyemri, Hafizi, Allushi, Harasani, Islami nuk do të përfshihen, në pikëpyetje Blushi dhe Malaj

Përçarja politike në Partinë Socialiste do të ndikojë në vendimin e kreut të saj Edi Rama për të bërë disa ndryshime strukturore dhe organizative brenda selisë rozë. Gjatë bojkotit të Parlamentit nga Partia Socialiste ka pasur konflikte idesh mes kryesocialistit Rama dhe deputetëve të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, të kryesuar nga deputeti Ben Blushi. Por konflikti politik mes tyre nisi që prej përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, ku LMN-ja hartoi ndryshimet në Statutin e PS-së. Një nga pikat më të rëndësishme në paketën e propozimeve “Blushi” ishte dorëheqja e kryetarit të partisë në rast ai humbiste zgjedhjet. E gjithë kjo atmosferë me kundërshtarë dhe kritikë ndaj kreut të PS-së do të ketë ndikim në riformatimin e Kryesisë dhe sekretariateve.
Riformatimi
Disa figura politike në përbërjen e Kryesisë dhe të sekretariateve në Partinë Socialiste pritet të largohen dhe emra të rinj pritet t’i zëvendësojnë. Këto lëvizje do të bëhen pas mbledhjes së kongresit të Partisë Socialiste më 18 prill. Disa figura që janë treguar mjaft kritikë ndaj kreut të tyre, si Edlira Haxhiyemri, Mimoza Hafizi dhe Eva Allushi, e cila është dorëhequr, nuk do të jenë më pjesë e Kryesisë, ndërsa Andis Harasani dhe Kastriot Islami nuk do të përfshihen në riformatimin e sekretariatit. Në pikëpyetje të fortë janë dy rivalët kryesorë të Ramës prej zgjedhjeve të fundit, Ben Blushi dhe Arben Malaj. Lëvizjet e fundit kanë treguar se dhe dy figurat e rëndësishme të PS-së mund të mënjanohen nga Kryesia, ashtu siç u bë në diskutimin e Grupit socialist në seancën e 18 marsit. Ndër emrat e rinj që pritet të vijnë janë Vasilika Hysi, Ditmir Bushati, Taulant Balla, Damian Gjiknuri apo dhe Eglantina Gjermeni. Emrat e rinj do të konsultohen dhe në Asamblenë Kombëtare dhe më pas të merren të gjitha propozimet për të formatuar Kryesinë.
Ndryshimet në Statut
Kongresi i Partisë Socialiste më 18 prill pritet të miratojë ndryshimet e Statutit. Do të mblidhet Asambleja Kombëtare e PS-së për të shqyrtuar ndryshimet programore dhe statutore. Një ndër pikat më të debatuara, ajo e mendimit ndryshe, do të sanksionohet në Statut, por vendimet e marra nga partia do të jenë të detyrueshme për të gjithë. Një ndryshim tjetër thelbësor është rikthimi i kryetarit të Asamblesë së PS-së në rreth. Më parë PS-ja ka pasur një koordinator dhe sekretar qarku. Një tjetër pikë mjaft e rëndësishme është përfshirja e Sekretariatit Qendror të PS-së në Kryesinë e Partisë me të drejtë vote. Vëmendje e madhe i është kushtuar edhe forcimit të demokracisë së brendshme në parti. Ndërkaq, Partia Socialiste ka kërkuar ekspertizë të Partive Socialiste Europiane për të bërë një rishikim të plotë të Statutit, sapo të zgjidhet kriza politike në vend. Grupi i punës ka punuar prej 7 muajsh dhe ndryshimet që do t’i paraqiten kongresit tashmë janë gati. Ndryshim parashikohet në këtë paketë të pësojë edhe mënyra e zgjedhjes së krerëve të bashkive dhe komunave. Ndryshe nga deri tani, ata propozohet të mos zgjidhen më sipas parimit "një anëtar, një votë", por nga forumet lokale, siç është Asambleja. Për herë të parë, PS-ja, duke iu përshtatur edhe sistemit aktual zgjedhor, do të ketë dhe një sekretar partie për çdo zonë të administrimit të zgjedhjeve (ZAZ), i cili natyrisht do të bëjë lidhjen mes njësisë vendore dhe zonës elektorale. Në paketën e ndryshimeve statutore janë përfshirë edhe disa amendamente përsa i përket forumit të gruas dhe atij të rinisë socialiste. Të dyja këto forume do të kenë të njëjtën mënyrë organizimi si dhe Partia Socialiste, pra në rang komune, bashkie dhe rrethi. Këto dy organizata do të kenë përfaqësuesit e tyre në të gjitha strukturat partiake, kryesi bashki/komunë dhe rreth. Ende nuk është vendosur nëse do të ketë dhe nënkryetar të Partisë, i cili po diskutohet këto ditë në grupin e punës.

Kryesia aktuale

Edi Rama
2. Arben Isaraj
3. Arben Malaj
4. Ben Blushi
5. Erion Braçe
6. Ermelinda Meksi
7. Eva Allushi
8. Gramoz Ruçi
9. Ledi Shamku
10. Mimoza Hafizi
11. Namik Dokle
12. Pandeli Majko
13. Saemira Pino
14. Valentina Leskaj
15. Mimi Kodheli
16. Lindita Nikolli

Sekretariati
Andis Harasani, sekretar për Programin Politik
Arta Dade, sekretare për Marrëdhëniet Ndërkombëtare
Blendi Klosi, sekretar Organizativ
Edlira Haxhiymeri, sekretare për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta
Et'hem Ruka, sekretar i Burimeve Njerëzore
Fatmir Xhafaj, sekretar për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore
Kastriot Islami, sekretar për Çështjet Zgjedhore
Besnik Bare, sekretar për Çështjet e Mjedisit
Taulant Balla, sekretar për Programin Politik
Blendi Klosi, sekretar Organizativ
Eglantina Gjermeni, sekretare për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta
Fatmir Xhafaj, sekretar për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore
Damian Gjiknuri, sekretar për Çështjet Zgjedhore

Ndryshimet statutore
1. Do të lejohet mendimi ndryshe
2. Vendimet e marra nga partia do të jenë të detyrueshme për të gjithë
3. Kush del kundër vendimeve, ndaj tij/saj do të merren sanksione deri në përjashtim nga partia
4. Do të rikthehet kryetari i Asamblesë së PS-së në rreth
5. Sekretariati Qendror do të jetë në Kryesinë e Partisë Socialiste me të drejtë vote
6. Krerët e bashkive dhe komunave do të zgjidhen nga forumet lokale
7. PS-ja do të ketë një sekretar partie për çdo zonë të administrimit të zgjedhjeve (ZAZ)

3 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›