Kompensimi, rrezikohet fondi i pagave dhe pensioneve
Fondi prej 6 miliardë lekësh të parashikuar në përballimin e dëmit të shkaktuar nga tragjedia e fshatit Gërdec, mund të mos mjaftojë, pasi çdo e ditë e më shumë rritet numri i objekteve të dëmtuara. Ministria e Financave është shprehur se, shifra prej 6 miliardë lekësh e bërë publike pak kohë më parë, buron nga fondi rezervë për emergjencat i qeverisë prej 2 miliardë lekësh, si dhe nga fondi i kontigjencës, prej 4 miliardë lekësh, rezervë e Kuvendit të Shqipërisë, i cili mund të përdoret për të njëjtat synime. Por Këshilli i Ministrave disponon dhe një rezervë tjetër në buxhetin e shtetit, i sanksionuar në nenin 11 të ligjit "Për Buxhetin e Shtetit 2008". Kështu, duke iu referuar këtij neni, qeveria ka në dispozicion dy fonde, "fondi rezervë i Këshillit të Ministrave", prej rreth 2 miliardë lekësh, i cili përdoret për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore, si dhe fondi i kontingjencës prej 4 miliardë lekësh, i cili përdoret nga Kuvendi. Neni 11 i ligjit "Për Buxhetin e Shtetit", ka vendosur edhe një fond tjetër i kontingjencës, në shumën prej 4,6 miliardë lekësh. Duke i mbledhur të tre zërat, qeveria ka rreth 10 miliardë lekë ose 110 milionë dollarë, të mjaftueshme për të përballuar dëmin e shkaktuar nga shpërthimi i fabrikës në Gërdec të Vorës. Por ndryshe nga dy zërat e mëparshëm, fondi prej 4,6 miliardë lekësh përdoret vetëm për rritjen e pagave dhe pensioneve, me miratim të Këshillit të Ministrave në 6-mujorin e dytë të vitit 2008, në përputhje me realizimin e të ardhurave. Në mënyrë që të garantojë dëmshpërblimin për të gjithë banorët e prekur nga tragjedia, qeveria do të jetë e detyruar të "fusë duart" te fondi i pagave dhe i pensioneve, pasi vlera e dëmit parashikohet të jetë tepër e lartë. Dy ditë më parë, Kryeministri deklaroi se, nëse do të jetë e mundur do preket buxheti i shtetit, për të rialokuar fondet.
Dëmet
Grupi i punës ka përpunuar dje gjatë mbrëmjes, 3693 dosje, ndërsa 200 të tjera ishin në proces. Kreu i Agjencisë së Legalizimeve, Urbanizimit, Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, (ALUIZNI) Shaban Memia, tha dje për mediat se, vetëm një pjesë e vogël rezulton me dëmtime të lehta. Kështu, nga verifikimet e grupeve të punës rezultoi se 409 objekte janë të pabanuara, që do të thotë objekte të shkatërruara plotësisht. Nga këto objekte të dëmtuara, 375 objekte të dëmtuara në shkallë të ndryshme janë biznes, 8 janë shkolla dhe 9 janë qendra shëndetësore.
SSSASS