E Diel, 1 Nëntor 2026

KNPGRMP, apel KQZ për mosmiratim të listës së partive pa kuotën e 30 % të grave

Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave, të Rinjve dhe Minoriteteve në Politikë, i drejton një letër të hapur KQZ, ku kërkon nga ana e tij dhe e të gjithë anëtareve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mos-miratimin e listave të kandidatëve për deputetë në çdo rast kur partitë apo koalicionet politike nuk e kanë plotësuar detyrimin për kandidimin e 30 % të grave në listat e tyre. Sipas KNPGRMP, ky detyrim buron jo vetëm nga Kodi Zgjedhor, por edhe nga fakti, që si institucioni më i lartë publik për zgjedhjet, ju duhet të respektoni të drejtën e pjesëmarrjes së barabartë të grave dhe burrave në zgjedhje. Ndonëse ne do ta konsideronim një arritje kandidimin e një numri të lartë të grave, përsëri ne duam të protestojmë për këtë shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor nga ana e partive politike në Shqipëri. Ne jemi të ndërgjegjshëm se partitë politike e kanë për detyrë të materializojnë premtimet dhe detyrimet që kanë për respektimin e të drejtave të grave dhe të Kodit Zgjedhor në Shqipëri. Megjithatë kthimi i listave të partive politike, që nuk kanë respektuar Kuotën 30 %, është më e pakta që ne si shoqëri dhe ju si Komision Qendror i Zgjedhjeve mund të bëjmë për garantimin e barazisë gjinore dhe zhvillimin demokratik të Shqipërisë, shprehet KNPGRMP në letër. Më tej ajo vijon duke përmendur se pjesë e detyrimeve dhe e përgjegjësisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është edhe garantimi i zbatimit të drejtë dhe rigoroz të Kodit Zgjedhor, i cili përbën bazën e organizimit të procesit zgjedhor në Shqipëri, fushatës elektorale politike dhe pjesëmarrjes së kandidatëve në të. Një nga kërkesat kryesore të Kodit Zgjedhor është edhe parimi i barazisë së burrave dhe grave si kandidatë në zgjedhje në masën 30 % për të dyja gjinitë. Duke u nisur nga normalizimi përfundimtar dhe dorëzimi i listave të kandidatëve të partive dhe koalicioneve politike, nuk mund të rrimë pa shprehur shqetësimin tonë se partitë politike në vend, por sidomos dy partitë më të mëdha, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, nuk e kanë respektuar këtë kërkesë të Kodit Zgjedhor, shton KNPGRMP. Më kokretisht, Partia Demokratike ka kandiduar në listat e saj 38 kandidate gra, ndërsa Partia Socialiste vetëm 32, nga 42 gra që duhet të ishin në listën shumë-emërore të 140 kandidatëve. Në të njëjtin hap janë edhe partitë e koalicionet më të vogla politike, gjë që ndodh në kundërshtim të hapur me Nenin 87 të Kodit Zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›