Bizneset industriale: Asgjë nuk ka ndryshuar nga "ligji i gjobave"
Bizneset janë "zgjuar" nga euforia e krijuar pak ditë më parë, nisur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për heqjen e nenit 107, i cili detyronte bizneset të paguanin 15 për qind të gjobës dhe interesat para apelimit në gjykatë. Tashmë që ky nen është shfuqizuar, bizneset janë kujtuar se e keqja e këtij ligji nuk është eliminuar. Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrias, pas analizës së bërë nisur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, shprehet se "akti në fjalë nuk na jep praktikisht asnjë lehtësim praktik për biznesin në përballjen e tij me institucionet e fiskut". Konstatimi i bizneseve lidhur me vendimin e gjykatës dhe të rejat që sjell, del në faktin se, subjektet private duhet të paguajnë paraprakisht detyrimin e pretenduar dhe të pavërtetuar nga një trupë asnjanëse e pavarur gjyqësore. Pra, kjo do të thotë se në praktikë gjendja nuk ndryshon, me përjashtim të një lehtësimi mjaft të vogël financiar për biznesin, që në çdo rast do t‘i duhet të paguajë detyrimin e pretenduar të institucioneve fiskale. Detyrim, që duke qenë i paprovuar, për Konfindustrian konsiderohet "gjobë" e mirëfilltë. Konfederata e bizneseve industrialiste ka përsëritur dje qëndrimin se përmirësimi i klimës biznes-shtet është kusht i domosdoshëm për afrimin e investimeve të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare për zhvillimin ekonomik të qytetarëve shqiptarë. Duke marrë shkas nga përvoja e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Buxhuku thotë se "duhet të ndërtohet dhe të fillojë sa më shpejt punën Gjykata Administrative e pavarur nga ekzekutivi dhe profesionale, që do të duhet të gjykojë dhe të japë vendimin për përballjet biznes-shtet". Në prag të hyrjes në fuqi të ligjit për procedurat tatimore, qeveria deklaroi e sigurt se së shpejti do të ngrihet Gjykata Administrative, e cila do të funksiononte paralelisht me "ligjin e gjobave". Por ligji hyri në fuqi e nisi të zbatohej, ndërsa Gjykata Administrative ngeci me reformën në sistemin gjyqësor. Vetë bizneset ankohen se ndeshen me gjoba me shuma të konsiderueshme nga institucionet e fiskut. Sipas Buxhukut, "këto gjoba e kanë burimin pikërisht nga sistemi i referencave të paravendosura nga ekzekutivi, në mjaft raste krejtësisht të ndryshme nga gjendja e vërtetë në treg". Duke përfunduar, ai paralajmëron krizë financiare te bizneset, nëse nuk ndërmerren lëvizjet e duhura ligjore dhe institucionale për parandalimin e këtyre formave. Por Ministria e Financave pretendon se aplikimi i këtij ligji që nga muaji prill i vitit 2007 nuk ka dhënë impaktin në totalin e të ardhurave nga administrata tatimore. Statistikat e ministrisë flasin për një rezultat prej rreth 0,4 për qind, në totalin e të ardhurave për vitin që shkoi.