Tenderi i KESH-it, më shumë energji elektrike nga sa u kërkua
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka zhvilluar dje tenderin e hapur ndërkombëtar për blerjen e energjisë elektrike, për periudhën prill-qershor 2008. Në tender ishin të pranishme tetë shoqëri të njohura importi, ku njëra është shqiptare. Nga ofertat mësohet se KESH-i i ka të gjitha mundësitë të dalë me një rezultat pozitiv, ku përveçse i garantohet çmim i favorshëm, i është ofruar më shumë sasi energjie elektrike nga sa kishte kërkuar. Kjo parashikon një garanci të plotësimit të nevojave me energji elektrike, ku një ndër synimet e KESH-it është importi në nivele më maksimale. KESH-i ka kërkuan blerjen e 1000 MW, ndërsa shoqëritë kanë ofruar rreth 1700 MW energji elektrike.
Tenderi
Tenderi me objekt "Blerje energjie elektrike për periudhën 1 prill 2008-30 qershor 2008", të ndarë në tri lote, synon importin e sasisë prej 1000 MW, me një vlerë totale prej rreth 45 milionë eurosh. Kështu, për lotin e parë 1 prill-30 prill, sasia e kërkuar nga KESH-i është 400 MW, ndërsa çmimi 68.71 euro/mWh; për lotin e dytë, 1 maj-31 maj, sasia e kërkuar është 300 MW, me çmimi 69.65 euro/mWh, ndërsa për lotin e tretë, sasia e kërkuar është 300 MW dhe çmimi 74.62 euro/mWh. Në tender merrnin pjesë kompanitë: "ATEL" Zvicër, "Ratia Energy" Çeki, "RUDNAP", Serbi, "GSA" Shqipëri, "EGL" Zvicër, "GEN-i" Serbi, "EFT" Zvicër dhe "Espada" Çeki. Burime zyrtare nga KESH-i, njoftuan se kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave do të shqyrtojë në vijim dhe brenda ditës së premte të kësaj jave të gjitha ofertat, për të mësuar shoqëritë fituese, e bashkë me to, sasinë dhe çmimin që do të kontraktohet.
Ofertat
Në të tria lotet bie në sy fakti se shoqëritë e interesuara për të shitur energji elektrike në Shqipëri kanë ofruar më shumë sasi energjie nga sa kërkonte KESH-i, si rrjedhojë me një vlerë monetare më të lartë. Por të ndara sipas ofertave, KESH-i ka mundësi të zgjedhë për muajt prill, maj dhe qershor, sasinë që kërkon me një çmim të arsyeshëm. Çmimi i ofruar nga shoqëritë varion nga 61 euro në rreth 74 euro për MW. Sasinë më të lartë të energjisë në tender e disponon shoqëria serbe, RUDNAP, për rreth 600 MW, ndërsa sasinë më të vogël e kanë ofruar çekët e "Espada"-s për rreth 100 MW.