E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paskal Milo zyrtarisht kalon në aleancë me PS-në



Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, ka bërë të ditur dje zyrtarisht se do të jetë në aleancë me Partinë Socialiste dhe jo me Lëvizjen Socialiste për Integrim me të cilën kishte bashkëpunuar deri më tani. Në kongresin e të rinjve të partisë së tij, ai tha se "në mënyrë unanime, pas mbledhjes së kryesisë qendrore, PDS-ja vendosi të shkojë në zgjedhjet e ardhshme në koalicion me PS-në dhe forcat e tjera të majta progresiste”. Për arsyet që e çuan tek PS-ja, Milo nuk ka dhënë shumë detaje, por ka thënë se nuk do të ketë lëshime politike nga partia më e madhe. “Ky është një vendim sovran i marrë me urtësi e gjykim të shëndoshë e mbi bazën e një analize të kujdesshme e të përgjegjshme. Ai është udhëhequr nga maksima se vetëm një e majtë e opozitë sa më e bashkuar dhe e harmonizuar në zgjedhjet e ardhshme mund të sigurojë fitoren”, - tha ai. Por duke parë interesat e partisë së tij në kuadër të një sistemi të ri zgjedhor, Milo theksoi se “nuk do të ishim realistë, po të mos deklaronim gjithashtu se në këtë vendim ka ndikuar edhe analiza se në rrethanat e reja që ka krijuar Kodi Zgjedhor, përfaqësimi dhe realizimi i synimeve elektorale të Demokracisë Sociale bëhet më i plotë vetëm nëpërmjet këtij koalicioni”. Por sipas Milos, “askush nuk do na falë asgjë, as në këtë koalicion që po shkojmë dhe as në ndonjë koalicion tjetër që mund të shkonim. Gjithçka do ta fitojmë vetë, me punën dhe me djersën tonë”. Vendimi i PDS-së është mirëpritur nga socialistët, jo vetëm pse u shtohet një aleat, por edhe se për një kohë të gjatë, zoti Milo, që së fundmi votoi edhe kundër Kodit Zgjedhor, ka qenë i dyzuar mes Ramës dhe Metës. Kreu i PDS-së tha se do të jepte kontribut për bashkimin e gjithë së majtës. Ndërkaq, kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, e ka vlerësuar ardhjen e Milos dhe e pyetur nëse socialistët kishin të njëjtën ftesë edhe për LSI-në, tha se dera mbetet e hapur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›