E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset, prefekturës: Luftoni informalitetin

Korçë “Gjysma e subjekteve nuk paguajnë taksa”

Bizneset e vogla në Qarkun e Korçës kërkuan dje në mënyrë institucionale të ngrihen grupe kontrolli kundër subjekteve të palicencuara që konkurrojnë në treg. Nga 8000 biznese të vogla që ushtrojnë aktivitet në rang qarku, më shumë se gjysma e tyre janë informalë dhe nuk paguajnë detyrimet në shtet, ndërkohë që pjesa tjetër pretendon se cenohet për shkak të kësaj konkurrence, që në disa raste luan edhe me çmimet e tregut. Bizneset e vogla kërkuan një takim me prefektin e qarkut, Andrea Mano, ku paraqitën kërkesën për ngritjen e një komisioni për verifikimin në terren të këtyre bizneseve të palicencuara për të marrë masa ndaj tyre. Sipas kryetarit të Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasto, sipas të dhënave dhe konstatimeve në terren informaliteti arrin në 50-60 për qind, duke rrezikuar kështu falimentimin e pjesës më të madhe të njësive të ligjshme tregtare. “Shumë nga bizneset e ligjshme kanë shpallur falimentin se nuk rezistojnë dot më në treg dhe pjesa jonë më e madhe ka dalë në rrugë, pasi konkurrenca e pandershme po na rrezikon dita-ditës t’i mbyllim aktivitetet që kemi. Nga verifikimet tona ka rezultuar se më shumë se gjysma e dyqaneve dhe bizneseve të vogla janë pa licenca dhe nuk paguajnë asnjë detyrim. Madje në këto njësi të paligjshme mungojnë edhe kontrollet, nuk ka cilësi dhe garanci ushqimore, ndërkohë që luhet me çmimet dhe peshën”, tha Nasto. Në takimin e organizuar në prefekturë merrnin pjesë përfaqësues të biznesit të vogël nga Korça, Pogradeci dhe Devolli, të cilët parashtruan disa kërkesa. Nga ana e tij, prefekti Andrea Mano premtoi bashkëpunimin institucional. “Nuk duhet që bizneset të trajtohen të diferencuara. Kërkesat e biznesit të vogël janë të drejta dhe do të angazhojmë të gjitha strukturat që të ndjekin hap pas hapi këtë fenomen”, tha prefekti Mano.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›