E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbeti pa punë, tenton vetëvrasjen në publik

PATOS/ Agim Gjika, 40 vjeç, qëlloi veten me thikë dhe pastaj kërcënoi të hidhej nga tarraca e një pallati

Një 40-vjeçar i dëshpëruar ka tentuar të vrasë veten në publik dje, duke hipur në tarracën e një pallati pesëkatësh në qytetin e Patosit. Ngjarja vjen një ditë pasi në Tiranë, një burrë bashkë me tre fëmijët kërcënoi me vetëvrasje nga maja e një tarrace pranë Ministrisë së Drejtësisë. Por ndryshe nga rasti i Tiranës, episodi i ndodhur dje në mbrëmje në Patos nuk ka kërkesa të qarta.
Policia e Fierit sqaroi se Agim Gjika, 40 vjeç, banor i lagjes “29 Marsi” të Patosit qëlloi veten disa herë më thikë dhe pastaj tentoi të hidhej nga tarraca e një pallati. Gjika, me gjendje civile beqar, u duk në tarracën e pallatit ku jeton babai i tij rreth orës 19:30 të mbrëmjes së djeshme, duke tërhequr vëmendjen e dhjetëra banorëve të zonës.

Ai kishte shkuar në shtëpinë e babait të tij dhe në rrethana ende të pasqaruara kishte qëlluar veten me thikë, të paktën tri herë, duke shkaktuar disa plagë serioze. Më pas është ngjitur në tarracën e pallatit dhe që aty ka kërcënuar se do të hidhej, nëse nuk shkonte ta takonte ambasadori amerikan.
Banorët e lagjes, që e njihnin Agimin janë munduar ta mbajnë me fjalë derisa në vend kanë mbërritur forca të postës së policisë së Patosit, që ndodhet vetëm 500 metra larg vendit të ngjarjes. Disa minuta më vonë nga Drejtoria e Policisë së Fierit janë dërguar përforcime, përfshi edhe një grup të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Pasi kanë negociuar me 40-vjeçarin, policët kanë arritur t’i afrohen dhe të shmangin rrezikun.

Ai është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Fierit, por mjekët aty konstatuan se Agim Gjika kishte nevojë për një ndërhyrje më të specializuar dhe e kanë nisur drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës.
Ndërkohë, Policia e Fierit ka nisur hetimet për ngjarjen dhe ka marrë në pyetje fillimisht familjarët e personit që tentoi vetëvrasjen. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se Agim Gjika nuk kishte pasur më parë probleme mendore, por aktin e djeshëm e ka kryer në kushtet e një depresioni të thellë. Mësohet se ai kishte disa muaj që kishte mbetur pa punë, për shkak të shkurtimeve masive në ndërmarrjet shtetërore të naftës. Humbja e punës mendohet të ketë qenë shkaku kryesor i rënies në depresion, ndërkohë që është arritur të gjendet edhe arsyeja pse personi në fjalë kërkonte takim me ambasadorin amerikan në Tiranë. Babai i 40-vjeçarit u ka treguar hetuesve se i biri kishte fituar lotarinë amerikane në vitin 1997, por ishte skualifikuar në fazën e dytë të përzgjedhjes. Kohët e fundit ai e kishte përmendur shpesh këtë fakt, pasi e shihte emigrimin si të vetmen mundësi për të jetuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›