E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, debatet e ashpra shtyjnë buxhetin

Të djathtët kundërshtojnë fort projektin e bashkisë. Dako përplaset me paraardhësin Gorea

Debatet me tone të larta dhe kundërshtitë për projektbuxhetin e vitit 2010 kanë karakterizuar mbledhjen e natës së kaluar të Këshillit Bashkiak të Durrësit. Ndërsa administratës bashkiake i është dashur të rikonceptojë këtë projektbuxhet në bazë të ndryshimeve që u bënë në paketën fiskale të kundërshtuar në mbledhjen e janarit me shumicë votash nga këshilltarët e djathtë sërish projekti ka nxitur pyetje dhe diskutime të shumta. Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Arqile Gorea, e ka cilësuar si jo transparent projektin e propozuar nga kryebashkiaku Dako dhe kërkoi shpjegime se sa janë marrë parasysh dhe reflektuar në të realisht të gjitha rreziqet me të cilat përballet Durrësi, duke përfshirë këtu erozionin, përmbytjet, situatën sizmologjike dhe ekologjinë. “Buxhetit i mungojnë teknikat e buxhetimit dhe të dhënat konkrete që e bëjnë një buxhet transparent. Durrësi e ka emrin e madh dhe resurse të mëdha, po kujdesin tuaj të vogël, z.Dako” - tërhoqi vëmendjen Gorea dhe më pas pati replika me tone të larta mes dy krerëve bashkiakë. Problem nga ana e këshilltarëve të djathtë u cilësua dhe ulja e investimeve për arsimin dhe rritja e atyre për shërbimet dhe transportin publik. Këshilltarët kanë kërkuar shpjegime për dëmshpërblimet e të përmbyturve nga mosfunksionimi i kanaleve të ujërave të larta dhe rrëshqitjet masive të dherave, ndërsa u kërkua që dhe raste si ai i shtetasit Ferid Haxhiaj të trajtohen nga bashkia, pasi varfëria i shtyn individët drejt akteve të rënda në të cilat cenohet dhe mirëqenia e fëmijëve. Kryetari i bashkisë tha se për vitin 2010 janë planifikuar të dëmshpërblehen rreth 107 familje të prekura nga përmbytjet në një vlerë prej 7,4 milionë lekësh. Të tjera nuk kanë mundur të përfshihen në listë për shkak të problemeve administrative. Rruga paralele me atë të portit që konsiderohet si një nga investimet kryesore të Bashkisë së Durrësit për këtë vit ka hasur në kundërshtimin e këshilltarit demokrat, Eduard Ndreu, njëkohësisht drejtor i Autoritetit Portual Durrës. Pronësia mbi tokën, sipas Ndreut, është një çështje juridike që pret zgjidhje para se në të të investohet, po për Dakon rruga është e qytetarëve dhe në shërbim të shfryrjes së trafikut të rënduar në qytet dhe për këtë ai u shpreh i vendosur në realizimin e saj. Diskutime dhe pyetje të shumta mbi projektbuxhetin e këtij viti dhe realizimin e buxhetit të vitit të kaluar kanë vijuar me orë të tëra deri afër mesnatës. Ndonëse në fund të prezantimit të projektbuxhetit, kryebashkiaku Vangjush Dako ftoi të gjithë këshilltarët ta miratojnë atë për t’i dhënë një pamje ndryshe Durrësit, rezistenca e këshilltarëve të djathtë shkaktoi një tjetër vonesë në miratimin e tij dhe nisjen e investimeve të parashikuara për këtë vit, investime që kapin vlerën e 959 milionë lekëve të reja. Dako deklaroi se për shkak të votimit të vonuar vitin e kaluar të buxhetit, disa prej investimeve nuk mundën të realizohen në kohë. Këshilltarët kërkuan shpjegime dhe për investimet e parealizuara, si dhe për financimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore që organizohen në Durrës dhe që përzgjidhen e miratohen nga Këshilli Kulturor që vlerëson mes projekteve që i paraqiten.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›