PD akuzon deputetët e majtë se shfrytëzuan sallën e bashkisë
Deklaratat e para pak ditëve të deputetëve të majtë Erion Braçe dhe Ermonela Felaj në sallën e mbledhjes së Këshillit Bashkiak Berat, kanë sjellë reagimin e kryetarit të këtij këshilli, Arenc Berati. Ai ka akuzuar deputetët e majtë se kanë përdorur pa të drejtë dhe politikisht sallën e mbledhjes së këshillit bashkiak. “Salla e këshillit bashkiak nuk mund të përdoret për deklarata politike nga ana e kryetarit të bashkisë dhe deputetëve të majtë, pasi deklarata të tilla duhet të bëhen në Kuvend dhe në selitë e partive. Vetëm pak ditë më parë, në këtë sallë ne miratuam projektbuxhetin e vitit 2010, ngjarje e rëndësishme për komunitetin e Beratit, i cili u arrit me konsensus nga këshilltarët e të gjitha forcave politike, por e njëjta sallë nuk mund të përdoret për deklarata politike”, tha kryetari i këshillit bashkiak, i cili është njëkohësisht dhe kryetar i degës së PD-së në këtë qytet.
#