Patos, e djathta merr sallën, por jo këshillin bashkiak
Këshilltarët e Bashkisë së Patosit i janë rikthyer sallës së mbledhjeve të këshillit pas pesë muajsh mungese. Të gjitha mbledhjet, që nga muaji tetor i vitit të kaluar e deri më tani, këshilli i riformatuar bashkiak i ka zhvilluar në mjedise private ose në zyrën e sekretarit të këshillit. Shkak është bërë pengimi nga ana e punonjësve të Ndërmarrjes së Pastrimit dhe Gjelbërimit, të cilët nuk kanë lejuar futjen në sallë të këshilltarëve të PD-së, PDI-së dhe LSI-së që kanë krijuar mazhorancën e re të këshillit dhe madje kanë arritur të zgjedhin drejtues tjetër, i cili ligjërisht ka një funksion paralel me drejtuesin e mëparshëm. 15 këshilltarë, përfaqësues të forcave politike PD, LSI dhe PDI, janë mbledhur në orën 10.00 të së enjtes në sallën e këshillit bashkiak dhe kanë nisur zhvillimin e mbledhjes. Mbledhja është shtyrë për pak minuta, pasi pritej prania e kryetarit të bashkisë, Bardhi Meli, si dhe e administratës së tij. Edhe pse ishin njoftuar ditë më parë, as kryetari i bashkisë dhe asnjë punonjës të administratës së tij nuk kanë marrë pjesë në mbledhje, duke rrëzuar kështu edhe disa nga pikat e rendit të ditës që do të kalonin për miratim vetëm nëse do të ishin të pranishëm përfaqësuesit e ekzekutivit.
Tensionet politike që kanë përfshirë prej muajsh Bashkinë e Patosit, kanë vënë në rrezik miratimin e buxhetit 2010, por edhe shumë vendime të këshillit bashkiak kanë mbetur pa u miratuar, si pasojë e ngërçit që ka mbërthyer këshillin bashkiak.
Tensionet e krijuara pas largimit të kryetarit të bashkisë nga LSI-ja, janë shoqëruar me ngritje padish dhe kundër padish për kryetarin e bashkisë dhe atë të këshillit, si dhe për disa anëtarë të këshillit, por edhe për prefektin e Fierit që njohu vendimin e këshillit të ri bashkiak.
#