Shoferi pa patentë vret kalimtarin
Ndërsa drejtonte automjetin pa patentë, ka aksidentuar me vdekje një 60-vjeçar dhe ka rënë në pranga. Burimet zyrtare policore bënë të ditur se u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Fran Vathi, 45 vjeç, me banim në fshatin Murqin të Komunës Bubq, Krujë. Arrestimi i Vathit u bë pasi në afërsi të Urës së Gjolës, në kohën kur drejtonte automjetin furgon tip “Ford” me targa DR8339B, ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasin Zenel Xheka. Viktima ishte me banim në Fushë-Krujë dhe në çastin e aksidentit po udhëtonte me një biçikletë. Menjëherë pas aksidentit drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është bërë shpallja e tij në kërkim nga komisariati i policisë. Brenda pak orësh autori është kapur dhe ndaj tij është ngritur akuza e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të mjetit pa dëshmi.
#