E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërvishten në rrugë, plagosen me armë

Shkodër

Dy persona janë qëlluar me armë zjarri mbrëmjen vonë të së mërkurës, në periferi të lagjes “Tre Heronjtë”, në qytetin e Shkodrës. Të plagosurit janë shtetasit Gjovalin Marashi 21 vjeç dhe Azgan Vatnika 24 vjeç. Ndërkohë që policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e ngjarjes, 30-vjeçarin Helidon Sokoli. Burime nga policia pohuan se ngjarja ka marrë shkak nga një grindje e çastit për motive të dobëta. Ka qenë ora 22:30 e së mërkurës, kur dy të plagosurit duke udhëtuar me motor janë përplasur lehtë me autorin e ngjarjes, i cili dhe ai ka qenë duke lëvizur me motor. Pas përplasjes mes palëve ka nisur sherri se kush e kishte fajin për përplasjen. Më pas konflikti ka vazhduar me sharje dhe fyerje mes palëve, deri në një moment kur Helidon Sokoli ka qëlluar në këmbë me nga një plumb dy personat me të cilët po debatonte. Menjëherë pas ngjarjes të plagosurit janë dërguar nga kalimtarë të rastit në spitalin rajonal të Shkodrës, ku dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa autori ngjarjes ka mundur të largohet pa rënë në dorë të policisë. Tashmë ai është shpallur në kërkim për veprat penale të “plagosjes me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›