Bizneset, propozim qeverisë për krijimin e Entit Rregullator për Karburantet
Vendimet e fundit të Autoritetit të Konkurrencës për mungesë transparence në tregun e karburanteve, si dhe privatizimi i ARMO-s, ka sjellë propozimin e radhës nga ana e bizneseve. Grupi i bizneseve industriale, si më të prekurat nga tregu jokonkurrent i karburanteve, i ka dërguar një letër kryeministrit Berisha duke i propozuar krijimin e një enti rregullator, i domosdoshëm në kushtet kur sektori i hidrokarbureve nuk funksionon sipas parimit të ekonomisë së lirë. Me anë të Konfindustrisë, bizneset e kishin paraqitur më herët idenë e krijimit të entit rregullator të pavarur për monitorimin e tregut të karburanteve, por tashmë propozimet duken më konkrete. Gjergj Buxhuku, administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë, argumentoi krijimin e strukturës së re, e cila duhet të funksionojë pranë Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, ERE, sikundër ndodh në disa vende të rajonit dhe BE-së. Sipas tij, enti do të jetë i vetmi mjet rregullator në duart e shtetit, pas shitjes së kompanisë publike të karburanteve ARMO, me anë të të cilit mund të ndikohet në uljen e pjesës së kostos shtesë të karburanteve të krijuara nga mungesa e elasticitetit të çmimeve të tregut vendor në krahasim me tregjet ndërkombëtare dhe rajonale.
17 Shkurt 2009