Tregu valutor, dollari amerikan vazhdon të forcohet ndaj lekut
Dollari amerikan ka vazhduar forcimin e tij ndaj lekut në këmbimet valutore gjatë javës së fundit, duke fituar afro 2 pikë. Në fillimin e javës së kaluar, një dollar u ble me 98,7 lekë dhe u shit me 99,2 lekë, ndërsa dje (16 shkurt) një dollar është blerë me 100,5 lekë dhe është shitur me 101 lekë. Dollari nga 87,7 lekë që blihej në fillim të vitit dhe 88,2 lekë që shitej, dje rezultoi me fitimin e afro 13 pikëve. Kuota e arritur dje nga dollari në shkëmbimet valutore ndaj lekut ishte më e larta e këtij viti, ndërkohë që vitin e kaluar dollari e kishte kuotën më të lartë në muajin nëntor, kur blihej me 96,7 lekë, si dhe në dhjetor kur blihej me 87,7 lekë.
Ftohet moti, çmimet e gazit me pakicë në rritje
Çmimi i gazit të lëngshëm ka pësuar rritje në tregjet e shitjes me pakicë ditët e fundit. Kjo ka ardhur si pasojë e ftohjes së motit ku konsumi i këtij malli është rritur më tepër. Qytetarët thonë se nëse më parë një bombolë 10 kg kushtonte 900-1000 lekë, tashmë ajo kushton 1100-1200 lekë. Edhe importuesit thonë se furnizimi i fundit i bërë prej tyre ka qenë me çmim më të lartë se një javë më parë. Sipas tyre, çmimet 2-2.5 lekë më të larta vijnë si pasojë e rritjes së çmimit të gazit të lëngshëm dhe përbërësve të tij në bursën ndërkombëtare dhe rritjes së valutës. Sipas importuesve të gazit, kjo është periudha kur çmimet për këtë lloj produkti shënojnë vlerat më të larta, periudhë që zgjat deri nga mesi i muajit mars.
Shqipëria eksporton energji, por humbjet në rrjet vazhdojnë
Shqipëria po eksporton energji elektrike në rajon, pas përmirësimit të ndjeshëm të situatës hidroenergjetike në tre hidrocentralet më të mëdhenj të vendit që gjenden në kaskadën e lumit Drin. Po ndërkohe që eksporti i energjisë pritet të ndikojë në përmirësimin e situatës financiare të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, humbjet në rrjet dhe niveli i pagesës së faturave të energjisë nuk janë ende në kuotat e parashikuara nga vetë Koorporata dhe Banka Botërore që është një prej donatorëve kryesorë të KESH-it.
17 Shkurt 2009