E Diel, 1 Nëntor 2026

Fillojnë pasojat e krizës, konsumatorët dhe bizneset frikësohen nga rënia ekonomike

Vrojtimi i BSH-së konstaton një shkallë të lartë pesimizmi

Ervin KOÇI

Kriza ekonomike botërore ka nisur të shfaqë efektet e saj edhe në Shqipëri, ku të parat kanë qenë “ethet” e pesimizmit për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ndryshe nga sa është pretenduar nga qeveria për rritje ekonomike dyshifrore, por edhe nga institucionet e tjera financiare, besimi i bizneseve dhe konsumatorëve në ekonominë e vendit ka rënë ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Banka e Shqipërisë ka publikuar dje për herë të parë vrojtimet e biznesit dhe konsumatorit ku ka rezultuar se gjatë tremujorit të fundit të vitit 2008 besimi i sektorëve të shërbimeve, industrisë, si dhe ai i konsumatorëve, ka pësuar rënie. Gjendja e përgjithshme e sipërmarrjes private dhe ecuria e ekonomisë në vend janë gjykuar në rënie nga bizneset e industrisë. Faktorët që kanë ndikuar janë kryesisht përkeqësimi i situatës në punësim, problemet që lidhen me praninë e ekonomisë informate dhe ato me energjinë elektrike. Në fjalën e tij, Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, u shpreh: “Vendimi për publikimin e këtyre treguesve kaloi përmes një procesi të matur, pasi ekspertët dhe vendimmarrësit e BSH-së krijuan bindjen se treguesit e besimit krahas treguesve të tjerë jepnin informacione të vlefshme shtesë në lidhje me zhvillimet më të fundit dhe të së ardhmes të sektorit realë të ekonomisë shqiptare”. Sipas tij, rezultatet e përftuara nga përpunimi i përgjigjeve të bizneseve dhe konsumatorëve janë plotësisht të pavarura dhe të pandikuara nga Banka e Shqipërisë, nga konjuktura ekonomike, financiare dhe politike brenda apo jashtë vendit.

Rënia e besimit

Nga vrojtimet e sondazhit të BSH-së për indeksin e besimit ka rezultuar se për 3-mujorin e fundit të vitit 2008 treguesit e besimit të industrisë dhe konsumatorëve qëndrojnë poshtë mesatares së tyre afatgjatë. Sipas vrojtimit, bizneset e sektorit të shërbimit dhe industrisë janë pesimiste dhe presin që aktiviteti i tyre të tkurret gjatë muajve në vazhdim. Rënia më e fortë vihet re te bizneset e shërbimit, treguesi i besimit të të cilëve ra me 7 pikë përqindje, çka ka filluar sakaq të ndikojë dhe sjelljen e tyre, të ndikuar kryesisht nga ecuria e përgjithshme ekonomike, situata në punësim dhe situata financiare. Sipas BSH-së, shfrytëzimi i kapaciteteve në 3-mujorin e katërt të vitit të kaluar ka rënë në 73.6 për qind nga 80 për qind që ishte në 3-mujorin e mëparshëm. Bizneset e industrisë janë më pesimiste. Banka thotë se vlerësimet e tyre për kërkesën e brendshme dhe për eksportet ka ardhur në ulje. Shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese në këtë sektor vlerësohet në ulje në krahasim me 3-mujorin e tretë dhe ka arritur në 72.4 për qind.

Frika e konsumatorëve

Konsumatorët shqiptarë duken më pesimistë përpara kësaj situate krize gjë që e kanë reflektuar në uljen e konsumit dhe rritjen e kursimeve. Sipas vrojtimit, vlera e treguesit të besimit te konsumatorët aktualisht qëndron poshtë mesatares së tij afatgjatë. Edhe te konsumatorët vërehet një rënie besimi për situatën e tyre financiare dhe ekonomike, si dhe vlerësim negativ për blerjen në shuma të mëdha apo për kursime. Konsumatorët shohin me shqetësim edhe nivelin e papunësisë dhe, sipas tyre, ky fenomen do të rritet gjatë pjesës së parë të këtij viti. Kjo rënie, sipas BSH-së, “është përcaktuar nga pritjet pesimiste të konsumatorëve për situatën e tyre financiare dhe ekonomike që do të vijojë edhe në 3-mujorin e parë të vitit 2009, bashkë me vlerësimin negativ të situatës së blerjeve në shuma të mëdha dhe situatës së kursimit”. Për rrjedhojë, treguesi i tendencës ekonomike, që përmbledh pritshmëritë e biznesit dhe konsumatorëve bashkë, ka rënë me 10 pikë përqindje.

Përse shërben Indeksi i Besimit

Indeksi i Besimit të Konsumatorit dhe Indeksi i Besimit të Biznesit publikohen për herë të parë nga institucioni mbikëqyrës bankar (BSH). Indekset e besimit janë anketime që Banka e Shqipërisë u drejton agjentëve të ndryshëm ekonomikë të vendit, ku përfshihen biznese të sektorëve të prodhimit, të ndërtimit dhe të shërbimeve, si dhe konsumatorëve. Këto indekse i ofrojnë Bankës Qendrore informacion mbi ecurinë e çmimeve, të konsumit, të të ardhurave, të prodhimit, të punësimit, të investimeve e të shumë treguesve të tjerë, të cilët ndihmojnë në vendimmarrjen e politikës monetare. Këta tregues ndërtohen në bazë të informacionit që merret nga proceset e vrojtimeve, që në terminologjinë teknike njihen si Vrojtimet e Tendencës/Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit. BSH-ja i realizon këto vrojtime në bashkëpunim me INSTAT-in.

17 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›