E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset rrisin me 24 për qind konsumin e energjisë

Pesha specifike e konsumit të energjisë elektrike, sipas grupit të konsumatorëve, ka pësuar ndryshime të dukshme gjatë 5 viteve të fundit, çka tregon se zhvillimet ekonomike kanë ndikuar direkt në rritjen e konsumit të energjisë elektrike. Në 6-mujorin e këtij viti konsumi i energjisë nga konsumatorët është rritur 13.3%, krahasuar me 6-mujorin e parë 2007, sipas INSTAT-it. Ndonëse në vend të parë janë konsumatorët familjarë, me 10.9% më e lartë të sasisë së energjisë së konsumuar, nga e njëjta periudhë e 2007-s, llogaritet në 16.7% rritja e konsumit të energjisë nga konsumatorët e tjerë, krahasuar gjithnjë me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Në 5 vitet e fundit vihet re se bizneset kanë rritur peshën specifike të konsumit të energjisë elektrike me 10% më shumë, çka tregon se ky grup konsumator po rrit në mënyrë të pandërprerë aktivitetin e tij. Ndërkohë, në 6 muajt e parë të 2008-ës, pesha e konsumit të energjisë nga bizneset u rrit, duke kapur vlerën e 24%. Në vitet e fundit për bizneset ka ardhur në rritje pesha specifike e konsumit të energjisë elektrike prej tyre, çka përbën një risi pozitive në bilancin e përdorimit të energjisë sipas grup-konsumatorëve. Kurba e rritjes së peshës specifike të konsumit të energjisë nga bizneset tregon se hopi ka ndodhur në dy vitet e fundit. Kështu, ndërsa në vitin 2003 pesha specifike e konsumit të energjisë elektrike nga biznesi ishte 9.58%, në vitin 2004 arriti në 16.25%, në vitin 2005 u rrit në 25.3%, në vitin 2006 në kuotën e 23.5% dhe në vitin 2007 arriti në 28.68%. Rritja e konsumit të energjisë nga bizneset lidhet direkt me rritjen e aktiviteteve prodhuese private, kryesisht në sektorët e industrisë së konfeksioneve, të lëkurë-këpucëve, të agroindustrisë, në shërbime, hoteleri etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›