Turistët italianë: Policia na kërkoi para dhe na dhunoi
“Na kanë kërkuar para për të hyrë në traget dhe kur nuk u dhamë, punonjësit e policisë na kanë rrahur”. Ky ka qenë pretendimi i dy turistëve italianë të cilët një ditë më parë i janë drejtuar komisariatit të policisë së Vlorës për të denoncuar rastin e dhunës ndaj tyre. Gjithçka mësohet të ketë ndodhur gjatë pasdites së të premtes në portin e qytetit bregdetar, ku sipas tre italianëve që ndodheshin në vendin tonë për të kaluar pushimet, kanë rënë pre e dhunës së disa punonjësve të policisë. Në një prononcim për mediat një ditë më parë, të rinjtë kanë treguar se ata ndodheshin nën shoqërinë edhe të miqve të tyre shqiptarë dhe që janë përpjekur të nisen drejt Italisë me traget pasditen e së premtes. Por, pasi nuk kanë mundur të hipin në atë traget, për shkak të dyndjes që ka pasur, kanë pritur një tjetër traget të radhës. Me të njëjtën biletë vajtje-ardhje të prenotuar 6 muaj më parë, italianët pohojnë se kanë tentuar të hipin në tragetin e radhës, por pikërisht aty ka nisur dhe konfrontimi me policinë, ku sipas pretendimit të tyre në këtë moment ata janë keqtrajtuar.
“Kemi ardhur këtu në polici për të denoncuar rastin sepse na kanë rrahur, na kanë thënë se duhet të jepni para të tjera edhe për biletën për t’u kthyer në Itali. Një nga policët e ka rrahur mikun tim, e ka kapur nga pas, i vuri krahun në qafë, e goditi në bark dhe në kurriz”, - ka pohuar për televizionin “News 24” njëri prej të keqtrajtuarve.
Ndërkohë, turistët italianë, dy djem dhe një vajzë, deklaruan gjithashtu se policia u kishte kërkuar 160 euro që t’i lejonte më pas të merrnin një nga tragetet që nisej për në Itali.
“Na kanë kërkuar para, euro”, - shprehet njëri prej tyre duke treguar shenjën në trupin e tij, ndërsa vazhdon se “policët më futën në mes dhe më tërhoqën. Më goditën rëndë me shkelm në një pjesë të trupit ku kam bërë një ndërhyrje kirurgjikale vite më parë. Na keqtrajtuan se nuk u dhamë para”. Për të gjitha këto, italianët thonë: “I kemi bërë foto policit, i cili ka keqtrajtuar mikun tim dhe që na ka kërkuar dhe 50 euro për të na lënë të hipnim në anijen që duhej të na çonte në Itali”. Sipas tij, “konflikti plasi sepse polici na kërkoi para dhe se kërkuan që të ribënim biletën. Ne kemi bërë prenotimin në Itali 6 muaj më parë vajtje-ardhje. Nuk kemi pse të blejmë biletat sërish. Do ta bëjmë denoncimin dhe në Itali. Kemi informuar ambasadën italiane këtu në Shqipëri për gjithçka”.
Por, ndryshe nga pretendimi i këtyre dy shtetasve, policia e Vlorës ka mohuar kategorikisht ushtrimin e dhunës, ndërkohë që ka dhënë dhe versionin e saj.
Sipas autoriteteve të kësaj policie, “asnjë person nuk është dhunuar nga punonjësit e Drejtorisë së Policisë së Vlorës, por se dy italianët kishin pretenduar të hynin me forcë në portin e Vlorës”. Policia e qytetit bregdetar ka bërë të ditur gjithashtu për këtë ngjarje se “bileta e tyre ishte e një dite më parë, çka tregon sipas tyre se ata kanë shkelur rregullin”. Ndërkohë që turistët italianë që zgjodhën bregdetin e Vlorës për të kaluar pushimet shprehen të indinjuar nga ky pretendim i autoriteteve policore. Sipas tyre, me çështjen e biletave merret agjencia e udhëtimeve që ata kanë zgjedhur dhe jo policia.
Me gjithë pretendimet dhe versionet e dy palëve, mësohet se tashmë çështja i ka kaluar prokurorisë së rrethit të Vlorës për hetime të mëtejshme, e cila do të vërtetojë nëse qëndrojnë pretendimet e ngritura nga shtetasit italianë apo ato të policisë shqiptare.
Në Tiranë
Kapet shpërndarësi i heroinës
Një operacion i specialistëve të Seksionit Kundër Narkotikëve në kryeqytet, ka vënë në pranga 29-vjeçarin Rando Abati me akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Lajmi është bërë i ditur dje nga të dhëna të policisë së Tiranës, sipas të cilave, arrestimi i tij u bë pasi në orën 20:00 të së premtes, nga agjentët e Luftës Kundër Narkotikëve u kap në flagrancë duke i shitur lëndë narkotike një shtetaseje. Gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1.2 gr lëndë e dyshuar narkotike e llojit heroinë; 325 euro dhe 333 000 lekë të përfituara nga shitjet; 64 copë ambalazh plastik boshe; 2 aparate telefoni celular; si dhe një automjet me targa TR 6179 P. Policia tha se materialet iu kaluan prokurorisë për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Masa
Arrest me burg për mashtruesen e vizave amerikane
Gjykata e Faktit të Tiranës ka caktuar dje masën e sigurisë "arrest me burg" për 52-vjeçaren nga Tirana, Hanëme Shandori. Akuza e formuluar prej prokurorëve “mashtrim më shumë se një herë” ka ardhur si rezultat i një periudhe hetimore paraprake nga antikrimi ekonomiko-financiar i policisë së Tiranës, seksion pranë të cilit janë depozituar kallëzimet në adresë të kësaj shtetaseje. Ndërkohë që gjyqtarja e çështjes, Frida Osmani, ka parë të arsyeshëm relacionin e prokurorit të çështjes dhe ka vendosur që Hanëme Shandori të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve.
Shandori u arrestua të mërkurën për veprën penale të “mashtrimit më shumë se një herë", pasi akuzohej për mashtrimin e disa personave, duke iu premtuar viza për të udhëtuar jashtë shtetit, vende pune apo lehtësira për marrjen e kredive, kundrejt shumave të konsiderueshme të parave. Sipas hetimeve të policisë, ajo kërkonte 1 milion e 600 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që në grackën e saj kishin rënë rreth 23 persona. Megjithatë, vonesat në premtimet e bëra duket se janë nuhatur nga të dëmtuarit dhe në dyert e policisë së kryeqytetit janë drejtuar plot 19 persona të cilët kanë denoncuar rastet e mashtrimeve të bëra nga 52-vjeçarja. Hetimi disamujor me metoda speciale nga specialistët e seksionit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar do të kurorëzohej mbrëmjen e së martës ku në sajë të operacionit të koduar “Rruga e Elbasanit” është arrestuar në kushtet e flagrancës Hanëme Shandori.