E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: “Ja programi elektoral në këmbim të votës”

Autori i Lajmit: red.
Shoqatat e biznesit në vend, në prag fushate elektorale, i drejtohen partive politike me një listë kërkesash në ndihmë të tyre. Dhoma amerikane e Tregtisë dhe shoqata e Fasonit kërkojnë përgjithësisht nga qeveria e re ndërhyrje në legjislacionin fiskal.
“Biznesi ka një pritshmëri të madhe nga qeveria e ardhshme për të luftuar korrupsionin, për të pasur një barazi më të madhe midis kompanive, në taksa në dogana. Të punohet më shumë me sistemin e TVSH-së, të bëhet një punë me vete për nxitjen e eksportit”, deklaroi drejtoresha ekzekutive e Dhomës amerikane të Tregtisë, Floreta Luli Faber. "Pagesën minimale gjashtë mujore për kohën sa të kalojë kriza, të hiqet paga e referencës, pagimin e punëtorëve të rinj për një periudhë gjashtë mujore deri në një vjeçare”, theksoi përfaqësuesi i Dhomës Tregtare të Prodhuesve dhe Eksportuesve të Veshjeve, Florian Zekja.
Shoqata e biznesit
Ndërsa, shoqata e Hidrokarbureve dhe Konfindustria kërkojnë ndërhyrje në treg për të garantuar konkurrencën dhe bërjen e strategjive që nxisin prodhimin vendas, e veçanërisht investimet private. "Të ruhet strategjia e ritmeve të larta të investimeve në infrastrukturë, të vazhdohet të ruhet performanca e mirë në të hyrat publike dhe në përqendrimin e shpenzimeve publike në projekte të caktuara”, është shprehur kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku. "Favorizimi i taksave për biznesmenët e huaj. Nëse vjen nga një shtet i huaj dhe investon në Shqipëri, pas realizimit të fitimit, ky biznesmen e transferon këtë fitim këtu dhe nuk e nxjerr jashtë vendit. Duhet të ketë zbatim të ligjit, të një ligji të fuqishëm në çdo sektor krijon një barazim në konkurrim”, deklaroi përfaqësuesi i shoqatës së Hidrokarbureve, Ibrahim Aktoz.
Kriza
Kohët e fundit për shkak të krizës financiare globale kërkesat për ndihmë drejtuar qeverisë nga ana e biznesit kanë qenë të shumta dhe të shpeshta. Por, kanë qenë të pakta zgjidhjet që janë dhënë. Përfaqësuesit e biznesit kërkojnë nga partite politike të mos neglizhojnë kërkesat e tyre dhe të këmbëngulin të bëhen pjesë e vendimmarrjes.
Ky lajm është publikuar: 01/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›