E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvaret në qeli 44-vjeçari, shtyu gruan në vetëvrasje

Autori i Lajmit: red.
I jep fund jetës 6 muaj pasi detyroi bashkëshorten të vetëvaret. Ka zgjedhur të njëjtën mënyrë që detyroi nënën e katër fëmijëve të flijohet. Besnik Hasa është vetëvarur dje në hekurat e krevatit të tij në burgun 313 me çarçaf. 44-vjeçari nga Kukësi, por me banim në Bathore, ishte arrestuar pak ditë pas vdekjes së bashkëshortes së tij nën akuzën e shtyrjes në vetëvrasje. Pak ditë më parë, në seancën e parë gjyqësore në ngarkim të tij, ai ka pranuar se i kishte thënë gruas të vetëvarej, por ka shtuar se i ka thënë me shaka. Madje, këtë temë e kishte diskutuar shumë herë në burg jo vetëm me shokët e qelisë, por dhe me psikologët e institucionit të vuajtjes së dënimit.
Ngjarja
Ka pritur momentin kur shoku i tij i qelisë të shkojë në gjykatë për seancën gjyqësore të radhës dhe është vetëvarur me çarçaf në fund të krevatit. Besnik Hasa, lindur në Kukës dhe banues në Bathore është gjendur në qeli i vetëvarur dhe më pas ka ndërruar jetë pa mundur të shpëtojë dot pas dërgimit në spital. Gardianët e burgut, sapo kanë marrë njoftim për ngjarjen, kanë nisur drejt Spitalit të Burgut 44-vjeçarin, i cili ka mundur të jetojë deri në mes të rrugës dhe më pas ka ndërruar jetë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Burgjeve bëjnë të ditur se ka qenë ora 10.55 kur ai ka kryer veprimin fatal. Policia konfirmon se Hasa ka ndërruar jetë në orën 11.16, të paradites së djeshme, pas dërgimit të tij në spital. I dënuari ka vendosur t i japë fund jetës në mjediset e qelisë së burgut nr 313 të Tiranës, ku gjendej që prej muajit janar të këtij viti. Detajet e para që jep policia mbi ngjarjen, janë ato të të gjeturit të Besnik Hasës në krevat, i varur me çarçaf. Mësohet se i ndjeri e kishte planifikuar që më parë vetëflijimin sepse dje paradite, ai kishte shfrytëzuar momentin kur ndodhej i vetëm në qeli.
Tentativat
Babai i katër fëmijëve thanë autoritetet e burgjeve javët e fundit ishte shfaqur i çekulibruar dhe ishte shprehur se nuk i duhej më jeta pas vdekjes së të shoqes. Madje, ai ka tentuar të vetëmbytet po me çarçaf edhe dy herë të tjera, një herë në burgun 302 dhe një herë në spitalin e burgut. I paraburgosuri ka përfituar nga fakti që njëri nga shokët e qelisë ka dalë nga dhoma, pasi kishte një proces gjyqësor dhe menjëherë ka kryer vetëvrasjen. Megjithë ndërhyrjen e policisë së burgjeve, ai ka ndërruar jetë rrugës për në spitalin e burgjeve.
Arrestimi
Besnik Hasa është vënë në pranga më 8 janar dhe akuzohej për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes”. Burime nga policia thanë se Besnik Hasa dyshohet se konsumonte pije alkoolike dhe më pas dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht gruan e tij. Pak kohë më parë, ajo kishte marrë tre fëmijët e saj të mitur dhe ishte larguar nga banesa.

Besniku: “I thashë gruas vrit veten , por bëja shaka”
Psikologë të burgut thanë se kohët e fundit viktima shprehej shpesh për vetëvrasjen e gruas së tij me fjalët: “I thashë të vriste veten, por bëra shaka nuk e mendova se do ta bënte këtë gjë”. Bashkëshortja e tij, Elisabeta, u gjet e vdekur në shtëpinë e çiftit në Bathore dhe për këtë gjë u arrestua Besniku. Prokuroria e akuzonte atë për ushtrim dhune dhe nxitje në vetëvrasje, e për këtë katër ditë më parë ai nisi procesin në Gjykatën e Tiranës.

Ky lajm është publikuar: 30/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›