E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dënuarit e 313-ës në grevë, kërkojnë kushte dhe ushqim

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Greva

Të burgosurit e burgut Jordan Misja ose i njohur si burgu 313, prej ditës së enjte janë hedhur në grevë për plotësimin e disa kërkesave të tyre të cilat u duken tepër të domosdoshme. Mbi 70% të të burgosurve janë bashkuar në një peticion të përbashkët dhe kanë renditur aty të gjitha kërkesat e tyre. Kërkesa e parë e tyre ishte shkarkimi i drejtorit Shkëlqim Kalemi, i cili po bën vetëm pak kohë që është vendosur në këtë post. Sipas pretendimeve të të dënuarve, drejtori i ri është shkaktari i disa probleme që u kanë lindur atyre kohët e fundit. Burime nga brenda burgut bëjnë me dije se në peticion ata kanë renditur një sërë kërkesash. Kushtet higjienike janë një tjetër problem që kanë vënë në dukje të pandehurit. Kushtet higjienike janë konstatuar edhe nga një inspektim i Avokatit të Popullit, i cili erdhi pas ankesave të një shtetaseje gjermane që mbahet e izoluar në ambientet e 313-ës. Kërkesat e tyre, të firmosura nga mbi 70% e të burgosurve, u janë dërguar drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, ministrit të Drejtësisë, Kryeministrit si dhe Avokatit të Popullit. Në peticionin e tyre “të pandehurit VIP” janë shprehur se, nëse nuk merren masa të menjëhershme, ata do të përshkallëzojnë grevën, madje, do të arrijnë deri në protesta.
Kërkesat
Kërkesat e të dënuarve kanë qenë nga më të ndryshmet. Ata kanë filluar që nga shkarkimi i drejtorit të ri e deri tek hapja e dyerve të qelive gjatë ditëve të nxehta. Në peticion ata kanë kërkuar: rritjen e sasisë së ushqimit që u sjellin familjarët, pasi sipas tyre, ushqimi i burgut është tepër skandaloz dhe nga ana e administratës nuk është bërë asnjë përmirësim për ushqimin, edhe pse ka pasur kërkesa të vazhdueshme. Një tjetër ankesë është mungesa e ujit. Për shkak të temperaturave të larta, të burgosurit kanë kërkuar që të ketë ujë gjatë gjithë kohës, pasi deri më tani ai është i kufizuar. Gjithashtu, kushtet higjienike janë tepër të këqija, kanë treguar të dënuarit. Në shumë qeli futen minjtë gjatë gjithë kohës dhe kjo përbënë rrezik për shëndetin e tyre si dhe tregon hapur kushtet e dobëta higjienike. Gjithashtu, një kërkesë tjetër, e cila është sezonale është hapja e dyerve të qelisë për gjatë ditëve të nxehta. Sipas të dënuarve, është thuajse e pamundur mbijetesa në qeli gjatë ditëve të verës kur temperaturat janë tepër të larta. Për këtë ata kanë kërkuar që dyert e qelive të jenë të hapura siç ka ndodhur edhe vitin e kaluar. Një tjetër kërkesë është edhe zgjatja e orareve të ajrimit. Edhe kjo kërkesë vjen për shkak të rritjes së temperaturave.
Përgënjeshtrimi
Edhe pse të dënuar si dhe pjesë e administratës së burgut “Jordan Misja” tregojnë për grevën dhe kërkesat e të dënuarve, nga ana tjetër Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mban një pozicion mohues karshi këtij fakti. E kontaktuar nga gazeta, zëdhënësja e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ka pohuar se nuk ekziston asnjë pakënaqësi nga ana e të dënuarve dhe jo më të bëhet fjalë për një grevë. Gjithashtu, ajo ka mohuar që të ketë një peticion nga të dënuarit për përmirësimin e kushteve apo për kërkesat e tjera. Zëdhënësja e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka pohuar se në atë drejtori nuk ka mbërritur asnjë peticion nga ana e të dënuarve.

Kërkesat e të burgosurve
“Ne të paraburgosurit e 313 kërkojmë largimin e drejtorit Shkëlqim Kalemi për këto arsye:
- Në marrëdhëniet e tij me ne ka sjellje arrogante e prepotente.
- Ka marrë në stafin e tij njerëz të korruptuar dhe të paaftë, të cilët vjelin taksën për zotin drejtor
- Kanë kufizuar ushqimet nga familjarët me qëllim që ne t i blejmë tek firma ”Everest” ku ai merr përqindje.
- Takimet e dhomës i kryen kundrejt pagesës 200 deri në 500 euro
- Tremujori është kthyer në biznes vetjak ku drejtori vjel taksën.
- Shërbimi mjekësor e dentar ka degraduar dhe, po nuk pagove, nuk kurohesh
Ne kërkojmë:
- Çdo sektori t i krijohet mundësia e tri aktiviteteve në javë në fushën sportive
- të mundësohet që dyert e qelive të lihen të hapura nga data 1 qershor deri më 1 shtator, pasi nxehtësia brenda qelive nuk durohet
- të mundësohet që banjot të kenë higjienë e ujë të vazhdueshëm, pasi gjendja është skandaloze
- kërkojmë që çdo të paraburgosuri t i mundësohet një takim dhome me familjarët në muaj e kohëzgjatja të jetë një orë
- shërbimi nga ana e punonjësve të policisë ka mangësi të theksuar, ---kontrolli nga shefat e kateve bëhet me fyerje dhe provokime
- duhet të theksojmë punën provokative të Albert Kryemadhit, i cili me intrigat e tij na e vështirëson mjaft jetesën këtu. Kërkojmë që ky person të largohet nga ky institucion.
- Çdo të paraburgosuri t i lejohet të flasë katër herë në javë në telefon
- Të hiqet kufizimi i ushqimeve dhe familjarëve t u krijohen kushte gjatë pritjes në takime, pasi mungon takti e vonesat në radhë janë me orë të tejzgjatura.
Ky lajm është publikuar: 30/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›