E Diel, 1 Nëntor 2026

Maturantët e profesionaleve, edhe një provim shtesë

Autori i Lajmit: red.
Profesionalet

Maturantët e shkollave profesionale do t i nënshtrohen edhe një provimi shtesë në përfundim të maturës. Sipas rregullores, krahas dy provimeve të detyruara, ata do të kenë edhe lëndën e formimit praktik profesional. Kësaj ndarjeje i takojnë të gjithë maturantët e shkollave të mesme artistike, koreografike, sportive, të seksioneve dygjuhëshe dhe të shkollave tekniko-profesionale 5-vjeçare dhe 3+2-vjeçare, ku përveç dy provimeve të detyruara do të japin dhe një provim të tretë: lëndën e formimit praktik profesional. Ky i fundit është provim shkollor në specialitet dhe nuk bën pjesë në llogaritjet e pikëve për pranimet në shkollat e larta. Nxënësit maturantë të shkollave profesionale dhe social-kulturore, të cilët nuk do të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, do të japin vetëm dy provime: provimin e detyruar: matematika për shkollat profesionale dhe letërsia për shkollat social-kulturore, si dhe provimin shkollor të formimit praktik profesional. Në përfundim të dy provimeve, nxënësi pajiset me dëftesë pjekurie. Kategoria tjetër e nxënësve të këtyre shkollave që do të duan të ndjekin studimet e larta pranë fakulteteve publike gjatë vitit të ardhshëm akademik do t u nënshtrohen të njëjtave procedura si dhe maturantët që kanë mbaruar pranë shkollave të tjera të mesme të përgjithshme.
Tezat e provimit
Në arsimin profesional 3-vjeçar dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare provimet përfundimtare janë: formimi teorik profesional si dhe formimi praktik profesional. Rregullorja e provimeve ka përcaktuar se për këta maturantë përgatitja e tezave të provimit do të hartohet nga vetë shkolla. Gjithashtu edhe datat e provimeve do të specifikohen nga drejtoritë e shkollave sipas një kalendari të caktuar. Pohohet se dhënia e provimeve për këtë kategori duhet të bëhet në data të përafërta me ato të maturantëve që do të konkurrojnë për shkolla të larta gjatë këtij viti. Njëkohësisht më datën 10 korrik ata do të kenë mundësi që të japin edhe provimet e lëndëve me zgjedhje për t u pranuar në shkollat e larta sipas degëve të listuara në formularin e preferencave që do të nisë të plotësohet gjatë muajit qershor për të gjithë kandidatët që aplikojnë për shkollë të lartë. Maturantët e këtyre shkollave profesionale do të kenë të detajuara dhe llojet e koeficienteve të veçantë jo vetëm për lëndën që do të japin provim, por dhe atë që përcakton llojin e shkollës së mesme, mbi bazën e të cilave do të përcaktohet dhe renditja e fituesve pas përllogaritjes së të 5 komponentëve përbërës të Maturës Shtetërore 2009.
Specialistët
Tashmë janë përcaktuar personat që do të merren me hartimin e tezave përfundimtare që do të jepen në provimet e detyruara të maturës gjatë muajit qershor. Burime nga AVA kanë pohuar se ka nisur izolimi i mësuesve në ambientet e kësaj qendre, ku do të përzgjedhin nga fondi i pyetjeve ato që do të përmbajë teza përfundimtare. Ndryshe nga provimet e vitit të shkuar, për 2009-n, gara e provimeve përfshin një sërë ndryshimesh për lëndët me zgjedhje, ku është vendosur që për akademitë sportive dhe artistike të mos zhvillohen provimet me zgjedhje. Kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në këtë profil akademik do të përzgjidhen në bazë të rezultateve që do të arrijnë në testimin e pjesës speciale të konkursit, me përjashtim të degës së arkitekturës, për të cilën do të jepen edhe lëndët me zgjedhje. Bazuar në llojin e degës, konkursi special për këta kandidatë do të zërë deri në 80 për qind të peshës përzgjedhëse të kandidatëve fitues për në universitet. Pjesa tjetër do t i atribuohet mesatares së shkollës së mesme.
Formulari
Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta brenda datës 30 qershor duhet të plotësojnë formularin A2 dhe ta dorëzojnë atë në KSHMSH. Sipas rregullores së provimeve, kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në universitetet publike të vendit vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e Maturës Shtetërore (në dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje të përcaktuara në formularin A-1). Nxënësi që është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të sezonit të parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky kandidat duhet të japë riprovim lëndët e detyruara në sezonin e vjeshtës, por humbet të drejtën e konkurrimit për në shkollë të lartë gjatë këtij viti. Në fillim të muajit të ardhshëm do të çelen dhe provimet e para të maturës, ku më 2 qershor dhe 9 qershor do të jepen lëndët e detyruara, matematika dhe letërsia.
Grupimi
Maturantët aktualisht po zhvillojnë konsultimet për provimet e detyruara të maturës, çka do të thotë se kanë mbyllur përfundimisht edhe vitin shkollor. Përfshirja e nxënësve në provimet e maturës për këtë vit do të shoqërohet me grupimin e tyre në ambiente të caktuara, pavarësisht llojit të shkollës. Kështu, në shkollat ku numri i nxënësve/kandidatëve është më i vogël ose i barabartë me 20 (njëzet), komisionet e ngritura pranë drejtorive arsimore do të grupojnë shkollat dhe do të caktojnë mjediset ku do të zhvillohen provimet. Drejtoria arsimore duhet të njoftojë gjithashtu të gjitha komisionet e maturës të ngritura në shkolla për të lajmëruar çdo nxënës me shkrim dhe për t u krijuar atyre kushte lehtësuese transporti për provimet e detyruara. Nxënësit e shkollave jopublike do t i zhvillojnë provimet e Maturës Shtetërore në mjediset e shkollave publike.

Tiranë, 5 % e maturantëve janë ngelës
Drejtoria e arsimit në Tiranë raporton se pesë për qind e maturantëve të Tiranës rezultojnë mbetës. Kjo do të thotë se 268 nxënës të viteve të katërta nuk do të mund të vazhdojnë provimet e Maturës Shtetërore. Inspektorë pranë Drejtorisë së arsimit në Tiranë shprehen se, ndryshe nga viti i kaluar, ky numër ka pësuar ndryshime të lehta. Gjithashtu, theksohet se përgatitjet për provimet e maturës janë në fazën përfundimtare dhe çdo gjë do të jetë gati para datës 2 qershor. Sipas Etleva Dokës, 6317 maturantë të kryeqytetit, do të futen në provimin D1, përkatësisht në provimin e letërsisë dhe 6385 në provimin e matematikës, atë D2.

Ky lajm është publikuar: 30/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›