E Diel, 1 Nëntor 2026

Dondollaku “tradhton” Aldo Baren, gjykata ndan dosjen

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Banda e Lushnjës

I cilësuar si krahu i djathtë i Aldo Bares dhe si një nga personat më të rëndësishëm të bandës së Lushnjës, Enver Dondollaku është “dorëzuar” përfundimisht në duart e drejtësisë dhe kjo e fundit ka pranuar pendimin e tij. Dje është zhvilluar seanca e radhës në ngarkim të dy kapove të bandës së Lushnjës, Aldo Bares dhe Enver Dondollakut. Dje gjykata ka vendosur që të ndajë procesin për këta të pandehur duke pranuar kërkesën e Dondollakut për gjykim të shkurtuar. Pasi është njohur me aktet hetimore dhe krimet që ai ka kryer në bashkëpunim me bandën e tij, i ka dërguar një kërkesë gjykatës ku kërkon që për të, të aplikohet gjykimi i shkurtuar pasi i pranon të gjitha krimet e bëra dhe është i penduar për çdo gjë që ka kryer. I të njëjtit mendim nuk ka qenë kreu i bandës, Aldo Bare, i cili tashmë mbetet i “tradhtuar” nga e gjithë banda e tij, të cilët po gjykohen në procese të veçuara. Dondollaku tashmë mund t i shpëtojë burgimit të përjetshëm, pasi atij do t i ulet 1/3 e dënimit. Në seancën e djeshme janë dorëzuar edhe provat shkresore dhe në seancën e radhës pritet që të dëgjohet edhe pretenca e Prokurorisë për Krimet e Rënda.
Krimet
Gjatë dorëzimit të provave shkresore, prokurori i çështjes i ka renditur të pandehurit Enver Dondollaku një numër të madh vrasjesh, të cilat i ka kryer në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të bandës. Enver Dondollaku është arrestuar më 21 maj 2006 në qytetin e Padovës në Itali, ndërsa mbante me vete një pasaportë çeke me emrin Denis Chochlanov. Dondollaku është akuzuar për vrasjen e inspektorit të policisë Klenti Bano, vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish-shefit të komisariatit të policisë Lushnjë, komisar Sinan Meta, vrasjen e shtetasve Nimet Zeneli, Masar Aliu, Idajet Beqiri, Luan Bilbili dhe Xhevdet Demiri, vendosjen e eksplozivit në stadiumin e qytetit të Lushnjës, marrje peng dhe vënie gjobash, trafik ndërkombëtar droge dhe prostitucioni. Ndaj Dondollakut janë ngritur akuza e vrasjeve të kryera nga organizata e drejtuar prej tij dhe Aldo Bares, për armëmbajtje pa leje, shkatërrim prone, si dhe pjesëmarrje dhe drejtim të organizatës kriminale. Akuzat e ngritura ndaj të pandehurit i rrezikojnë atij dënimin nga 25 vjet burgim deri në burgim të përjetshëm.
Aldo Bare
Tashmë i njohuri si kapobanda i Lushnjës, do të përballet i vetëm për krimet e kryera nga ai dhe banda famëkeqe e Lushnjës.
Personazhi i njohur me emrin Aldo Bare u arrestua më 5 mars 2006 në Ankara nga forcat speciale të policisë turke. Për tre vite me radhë Bare kishte arritur t i shpëtonte arrestimit, edhe pse sipas policisë, kishte lëvizur vazhdimisht nga Turqia në Maqedoni, Rumani dhe anasjellas me një pasaportë ku mbante emrin Mikel Kodra. Alfred Shkurti akuzohet për disa nga vrasjet e kryera nga organizata e drejtuar prej tij për armëmbajtje pa leje, shkatërrim prone, si dhe pjesëmarrje dhe drejtim të organizatës kriminale. Gjykata turke ende nuk ka vendosur përfundimisht për ekstradimin e tij në Tiranë. Tashmë për të gjykuar krimet e tij pritet që të caktohet një tjetër trup gjykues, pasi trupi gjykues që po shqyrtonte dosjen në këtë proces, në bazë të legjislacionit shqiptar nuk ka të drejtë të gjykojë edhe Aldo Baren për shkak të ndarjes së çështjes.

Gjyqi për bandën
Po në të njëjtën gjykatë është duke u zhvilluar edhe një proces gjyqësor për “ushtarët” e Aldo Bares. Ata janë duke u gjykuar për të njëjtat vrasje që rëndojnë edhe mbi krerët e bandës. Procesi penal ndaj të pandehurve Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Arjan Aliçko, Jorgo Muzaka dhe Rexhep Gina, ka nisur prej afro dy vitesh. Mbi supet e të pandehurve rëndojnë akuza të rënda, të kryera në kuadër të bandës famëkeqe të Lushnjës, të drejtuar nga Aldo Bare alias Alfred Shkurti. Procesi për këta të pandehur është në një fazë më të përparuar se ai për krerët e bandës. Tashmë me dhjetëra dëshmitarë kanë dhënë dëshminë e tyre për krimet e kryera nga të pandehurit. Të njëjtët dëshmitarë pritet që të dëshmojnë edhe në gjyqin e Aldo Bares. Por procesi për këtë të fundit pritet që të fillojë sërish nga e para për shkak të ndarjes së dosjes.

Ky lajm është publikuar: 30/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›