E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fleta e votimi, partitë politike gjejnë konsensusin

Autori i Lajmit: Suela Topi
Zgjedhjet 2009

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gjetur më në fund konsensusin e partive politike për miratimin e fletës së votimit për zgjedhjet e 28 Qershorit. Pas një sërë diskutimesh për dy ditë me radhë, përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike kanë zgjedhur të njëjtin model për fletën e votimit. Kështu, është rënë dakord që fleta e votimit të jetë A3, renditja e koalicioneve të bëhet sipas alfabetit dhe më pas të renditet kandidati i pavarur dhe dy partitë që kanë dalë më vete. Kjo vetëm në qarkun e Tiranës. Ndërsa në qarqet e tjera ku nuk është kandidati i pavarur menjëherë pas koalicioneve do të renditen dy partitë jashtë koalicioneve. Për sa i përket përmbajtjes, është rënë dakord që emri i koalicionit të vendoset anash emrit të partisë dhe kryetarit të saj. Ndryshimet e fletës së votimit janë bërë pas regjistrimit në KQZ të plot 35 partive të cilat do të marrin pjesë në garën elektorale nga 25 që ishte parashikuar.
Diskutimet
Fleta e votimit do të ketë në brendësi të saj të renditura plot 35 parti dhe kandidatë të pavarur. Dy partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, kanë rënë dakord për përbërjen e saj, por dhe për mënyrën e renditjes së partive. Është rënë dakord që të zgjidhet modeli i fletës së votimit ku emri i koalicionit është anash ndërkohë që emri i partive, por edhe i kryetarëve të tyre të renditura në mënyrë horizontale të jenë me shkronja të mëdha po ashtu dhe siglat e partive. “Mendoj se varianti ku koalicionet të jenë anash, jo siç ishte, po i zvogëluar, është në rregull. Vetëm një ndryshim, kolona vertikale e emrit të koalicionit të zbardhet. Një tjetër ndryshim duhet të bëhet me shkronjat e emrave të kryetarëve të partive, të cilat duhet të jenë të gjitha me shkronja të mëdha dhe jo vetëm mbiemri. Gjithashtu, madhësia e gërmës duhet të jetë e njëjtë si për emrin e kryetarëve të partive, për emrin e partive, por edhe për siglat e tyre”, - pohoi dje gjatë diskutimit përfaqësuesi i demokratëve në KQZ, Njazi Kosovrasi. Me këtë variant ra dakord edhe përfaqësuesi i socialistëve, Genci Gjonçaj. Me propozim të Kosovrastit, por me konsensusin edhe të Gjonçajt, si dhe të anëtarëve të KQZ-së, u ra dakord që të ruhet e bardhë vetëm kalona ku do të bëhet shënimi i zgjedhësve. U vendos gjithashtu që logot e partive, por dhe stema e Republikës së Shqipërisë, si dhe logoja e KQZ-së, të jenë me ngjyra. Edhe pse për këtë pikë do të vendoset përfundimisht vetëm pas diskutimit me kompaninë sllovene, e cila do të prodhojë fletët e votimit. Ndërkohë që sot do të zgjidhet dhe problemi i Partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrim Evropian, emri i gjatë i së cilës krijon problem për fletën e votimit. U propozua që pas një përgjigjeje me shkrim të përfaqësuesve të partisë, emri i saj të vendoset vetëm Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim. Ndërkohë që KQZ është në pritje edhe të logove të partive. Vetëm një pjesë e tyre kanë paraqitur logot të cilat do të vendosen para emrit të çdo partie. Për sa i përket renditjes, u vendos që fillimisht do të jetë koalicioni “Aleanca e Ndryshimit” dhe më pas “Aleanca Poli i Lirisë”, “Aleanca Socialiste për Integrim”, “Bashkimi për Ndryshim” dhe pas tyre kandidati i pavarur dhe më pas Partia Ligj dhe Drejtësi dhe Partia e Punës e Shqipërisë e Rinovuar. Ngjyra e fletës do të jetë e gjitha e verdhë, me përjashtim të kolonës ku do të votohet. Me kërkesë të përfaqësuesit të PS-së u la që paraditen e sotme të vendosen specifikimet e tjera të fletës së votimit.
Ky lajm është publikuar: 30/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›