E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: Qeveria të japë kohën e mjaftueshme për Amnistinë Fiskale

SHKRUAN: Sabina Veizaj 14-04-2011 11:01

Biznesi ka shfaqur sërish propozimet e tij për të bërë ndryshime në draftligjin e amnistisë fiskale. Përfaqësuesit e biznesit kanë kërkuar garanci të plotë pas procesit të faljes

Të gjitha shoqatat e biznesit po lobojnë që qeveria të mos nxitojë për miratimin e ligjit për Amnistinë Fiskale, por të arrijë një konsensus me biznesin për sa i përket tarifave të rivlerësimit dhe rikontrollin pas vetëdeklarimit. Shoqatat e biznesit dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë kanë reaguar dje për amnistinë fiskale në një konferencë për shtyp.

Ajo që biznesi i kërkon qeverisë është garancia që duhet të ofrojë ky ligj për sipërmarrësit shqiptarë pas vetëdeklarimit që përfshihet në procesin e amnistisë. Sipas tyre, duke iu referuar draftligjit, kontrolli pas vetdeklarimit nga administrata tatimore do të sillte pasiguri dhe ligji nuk do kryente misionin e vetë. Biznesi i ka propozuar politikës që t’i japë kohë diskutimit të draftligjit të amnistisë fiskale e të mos nxitojë në miratimin e ligjit dhe të shikojë rrugët për gjetjen e konsensusit, pasi ndryshe procesi është i cënuar.”E kemi deklaruar dhe më parë që kater janë shtyllat kryesore që duhet të respektojë ligji për Amnistinë fiskale: Gjithëpërfshirja, Tarifa aplikimi të ulëta, garancinë që duhet të afrojë ky ligj për qytetarët dhe biznesin që përfiton prej tij dhe krijimi i grantit për biznesin, i cili do të shërbejë për kreditimin e biznesit me kredi afatgjata dhe me tarifa jo më shumë se 2 për qind duke pasur prioritet sektorët e bujqësisë dhe turizmit, i cili do të drejtohet nga një bord, ku brenda tij të jenë dhe përfaqësues të biznesit.”- është shprehur Jaka. Përfaqësuesit e biznesit këmbëngulin se tarifat e aplikueshme për rivlerësimin e aseteve të biznesit duhet të jenë dukshëm më të ulëta, për të siguruar pjesëmarrjen e sipërmarrjes shqiptare në proces, propozim sipas tyre, që në të vërtetë është marrë në konsideratë nga hartuesit e ligjit. “Deklarimet vullnetare si të qytetarëve dhe të biznesit të mos bëhen indicie nga organet e specializuara të shtetit për kontrolle selektive. Biznesi është i ndërgjegjshëm për një start të ri që duhet të ndodhë pas amnistisë fiskale. Por që ky start i ri të vijë, duhet që kërkesat e biznesit të respektohen dhe ligji të zbatohet njësoj për të gjithë.”- theksoi Jaka në konferencë.

Duke e konsideruar këtë ligj jo vetëm si një ligj për legalizim kapitali dhe falje fiskale, por si një reformë të rëndësishme në ekonominë e vendit tonë,biznesi konsideron që garancia për subjektet e mundshme të këtij ligji është shumë e rëndësishme.

Ata i drejtohen politikës që të gjejnë vullnetin që ky ligj të kalojë me shumicë parlamentare, me 84 vota, pasi kjo është një amnisti e plotë dhe kërkon 3/5 e votave të ligjvënësve të vendit. Projektligji, i cili ka kaluar në komisionin përgjegjës kuvendor, atë të Ekonomisë dhe Financave, vetëm me votat e maxhorancës parashikon vetëdeklarimin e pasurive të paluajtshme dhe makinerive e pajisjeve të shoqërive, faljen e gjobave dhe detyrimeve të gjithë individëve. Tarifat e rivlerësimit për biznesin janë parashikuar 6-7 &, tarifë, e cila kundërshtohet nga biznesi. Pritet të gjendet një konsensus mes financave dhe biznesit për çështjet e debatueshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›