E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi rikthen ligjin për akcizat, është në kundërshtim me MSA-në

SHKRUAN: Sabina Veizaj 14-04-2011 11:00

Kreu i Shtetit, Bamir Topi i ka kthyer Kuvendit që të rishqyrtojë ligjin “Për akcizat”. Përmes një deklaratë të bërë publike në faqen e Presidencës, Presidenti Topi, argumenton arsyet e vendimit të marrë. Ai shpjegon se ndryshimi i bërë për nenin 24 të ligjit ekzistues, bie në kundërshtim me nenin 33 të MSA-së. “Arsyeja, për të cilën nuk e dekretova këtë ligj, lidhet kryesisht me ndryshimin dhe shtesat që i bëhen nenit 24 të ligjit ekzistues ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar dhe shtojcës bashkëlidhur këtij ligji. Ky rregullim, sipas vlerësimit tim, bie ndesh me ligji nr. 9590, datë 27.7.2006 ‘Për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane e shteteve të tyre anëtare’. Konkretisht, neni 33 i Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, ndër të tjera parashikon se ‘që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, nuk vendosen detyrime doganore të reja për importet ose eksportet, ose tarifa të reja me efekt të njëjtë me to, dhe nuk rriten as ato që zbatohen tashmë në tregtinë ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë’. Në vetvete, ky ligj ndryshon tarifat e përcaktuara para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, marrëveshje e cila në hierarkinë e normave ligjore vjen pas Kushtetutës”, citohet në deklaratën e Presidentit Topi. Sipas tij, vendosja e këtij rregullimi të ri ligjor, prish parimin e një sistemi ekonomik të bazuar në ekonominë e tregut, sanksionuar kjo dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe passjell një trajtim diskriminues për prodhuesit vendas. Presidenti mendon se me ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit, vendi ynë ka marrë përsipër jo vetëm angazhimin për rritjen e lirive politike e ekonomike, që janë bazat themelore të kësaj marrëveshjeje, por edhe angazhimin ndaj parimeve të ekonomisë së tregut të lirë. “Sipas vlerësimit tim, ndryshimet e shpejta në ligjin e paraqitur për shpallje, vijnë si pasojë e hyrjes në fuqi të kontratës së koncesionit, për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, kontratë e cila kërkon implementimit e disa ndryshimeve të kuadrit ligjor ekzistues, brenda një afati shumë të shkurtër kohor, përfshirë këtu edhe ligjin për akcizat. Ndryshimet e shpejta, përveçse nuk sjellin pritshmërinë e dëshirueshme, mund të shkaktojnë një efekt tërësisht të kundërt. Ligje të këtij karakteri janë ligje me pasoja të ndjeshme, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në krijimin e një klime, të favorshme apo jo, për zhvillimin dhe nxitjen e ekonomisë së tregut. Ky ligj, përveçse shton koston e prodhimit të industrisë vendase, mund të sjell dhe një tjetër efekt negativ në lidhje me të punësuarit pranë kësaj industrie, e cila mund t’iu shkaktoj këtyre të fundit, humbjen e vendit të punës. Duke shprehur mirënjohjen për kontributin dhe rolin tuaj si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kthimin për rishqyrtim të ligjit, duhet ta vlerësoni si një mundësi në drejtim të përmirësimit të këtij akti, duke iu përmbajtur kornizës kushtetuese, ligjeve në fuqi dhe parimeve të lirisë ekonomike.”- citohet në deklaratën e Presidentit Topi.Ligji për akcizat u miratua nga kuvendivetëm me votat e maxhorancës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›