E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: “Rritja e pagës minimale nga qeveria po na çon drejt falimentimit”



Ervin KOÇI

Komuniteti i biznesit ka kundërshtuar nëpërmjet përfaqësuesve të tij vendimin më të fundit të Këshillit të Ministrave për rritjen e nivelit të pagës minimale. Duke e cilësuar vendimin si diskriminues, ata shprehen se ka një mospërputhje midis ligjit mbi pagat referuese edhe hapit më të fundit të hedhur nga qeveria dhe se, kjo e fundit, e ka rritur në mënyrë të vazhdueshme këtë nivel brenda një periudhe kohore shumë të shkurtër (5 herë në 4 vite). Sipas tyre, ligji mbi pagat referuese sanksionon masën 17 mijë lekë si nivelin minimal të pagës në sektorin privat, ndërsa qeveria vendos për një nivel minimal masën 18 mijë lekë. Bizneset gjithashtu shprehen se, vendimi është marrë pa u konsultuar më parë me grupet e interesit. I pyetur nga gazeta “Albania”, Kryetari i Dhomës Kombëtare të Veshjeve, Edmond Rusmali, shprehet se “është e treta herë që brenda një periudhe prej një viti e gjysmë qeveria rrit nivelin minimal të pagave për punonjësit e sektorit privat”. Nga 14 mijë lekë që ishte rreth dy vite më parë, niveli i pagës minimale u rrit në 16 e më pas në 17 mijë lekë, për të arritur në vendimin më të fundit, ku asnjë punëdhënësi nuk i lejohet që t'i paguajë punonjësit e tij më pak se 18 mijë lekë në muaj. Sakaq, Rusmali shton më tej se industria me fason në Shqipëri është prekur tashmë nga efektet e krizës ekonomike globale dhe po vuan çdo ditë pasoja e saj, prandaj edhe një masë e tillë nga qeveria në këtë kohë për ta është shkatërruese.

Efektet e krizës

Ndryshimi i vazhdueshëm i rregullave të lojës nga qeveria, shkakton humbje të konsiderueshme, kryesisht tek bizneset e këpucëve, tekstileve, etj., ku, sipas tyre, arsyeja e vetme që i bën të vijnë të investojnë në Shqipëri është krahu i lirë i punës. Madje, ata pretendojnë se, rritja e herëpashershme e nivelit minimal të pagave të punonjësve nuk i lejon që të bëjnë një plan biznesi, për shkak të luhatjes që pëson norma e fitimit nga ndryshimet. Sipas Edmond Rusmalit, qeveria po refuzon të pranojë se kriza po godet 400 prodhues rrobash dhe 80 prodhues këpucësh, të cilët punësojnë rreth 100 mijë vetë. “Ne po i ndjejmë efektet e krizës që nga tetori i vitit 2008 deri më sot, pasi nuk kemi qenë të imunizuar ndaj kësaj situate”, - tha Rusmali. Ai ka shtuar më tej se, "zakonisht, kontratat e lidhura me blerësit tanë lidhen një herë në vit dhe ne parashikojmë ecurinë që do të kemi gjatë kësaj periudhe, ndërkohë, ndryshimi i vazhdueshëm i nivelit të pagave na rrit koston e prodhimit. Këtë kosto nuk mund ta pasqyrojmë më tek blerësi, pasi e kemi lidhur më parë kontratën mbi bazën e disa kushteve të caktuara dhe e gjithë fatura e këtyre rritjeve paguhet nëpërmjet minimizimit të fitimeve".

Rreziku i falimentit

Të dhënat nga Dhoma Kombëtare e Veshjeve pasqyrojnë një situatë tepër të pafavorshme për këto biznese. Madje, rezulton se, që nga janari i vitit 2009, të mos jetë lidhur asnjë kontratë midis blerësve të huaj dhe shoqërive që operojnë në tregun e këpucë-tekstileve në vend. Prodhuesit shqiptarë të këpucëve dhe të rrobave kanë pushuar nga puna ose kanë pezulluar përkohësisht më shumë se 10 mijë punonjës deri tani, për shkak të rënies së kërkesës nga klientët perëndimorë. Rusmali thotë se, më shumë se gjysma e fabrikave të këpucëve dhe rrobave që punonin për klientë gjermanë, italianë apo grekë kanë ndaluar ose pjesërisht, ose plotësisht aktivitetin e tyre. “Ky numër punonjësish të pushuar, numri i atyre që punonin me ndërprerje për shkak të mungesës së kërkesës dhe numri i atyre që janë lënë në pritje, derisa bizneset të nënshkruajnë kontrata të reja, ka arritur në 11 mijë punëtorë”, - thotë Rusmali. Ai ankohet se qeveria, po bën një vesh të shurdhër përballë thirrjeve të tyre për ndihmë, duke refuzuar të pranojë se kriza ka goditur Shqipërinë.

Kërkesat e biznesit

Vazhdimisht, përfaqësues të bizneseve të ndryshme në vend, i kanë kërkuar qeverisë krijimin e disa lehtësirave në pagimin e kontributeve shoqërore për punonjësit e tyre, si pasojë e vështirësive të hasura në gjetjen e tregjeve. Rritja e nivelit të pagës minimale, nga ekspertë të ekonomisë është komentuar si një lëvizje e qeverisë për të minimizuar efektet e kostos prej 4 miliardë lekësh që pritet të shkaktojë ulja e detyrimeve për kontributet shoqërore që duhet të paguajnë punëdhënësit për çdo punonjës. Rreth 68 për qind e veshjeve dhe këpucëve të prodhuara shkon në Itali dhe pjesa e mbetur shkon kryesisht në Greqi dhe Gjermani.

16 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›