E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ, faktori plus



Nikollë LOKA

Sondazhet e deritanishme për rezultatin e zgjedhjeve nxjerrin në krye të majtën shqiptare, e cila, pas katër vjetësh në opozitë, e ndien se mund të vijë përsëri në qeverisje. Pavarësisht nga propaganda e madhe për rezultate mbresëlënëse, e shprehur më së miri nëpër spotet e shtrenjta televizive, apo në mitingjet paraelektorale, duket se shqiptarët po përgatiten për ta lënë koalicionin e djathtë dhe PD-në në opozitë. Ka shumë arsye që e kanë katandisur maxhorancën e sotme në këtë gjendje. Një gjë dihet, se PBDNJ-ja nuk ka ndikuar, apo më mirë të themi ka ndikuar pak në prishjen e imazhit qeverisës të Ekzekutivit të sotëm. Dihet tashmë se PBDNJ-ja u largua nga koalicioni qeveritar në ditët e fundit dhe iu bashkua koalicionit opozitar. Pavarësisht se një veprim i tillë duket normal në demokraci, largimi i centristëve të Dules nga koalicioni i djathtë nuk është rastësor dhe nuk ka të bëjë thjesht me llogaritjet elektorale, sipas të cilave PBDNJ duhet gjithnjë të jetë me fituesit, siç ka rezultuar deri tani. Kjo parti jo gjithmonë u është bashkuar koalicioneve parazgjedhore. Problemi është më i thellë se kaq. Pavarësisht se drejtuesit e PBDNJ-së deklarohen për politikë partiake të pavarur nga Athina zyrtare, një gjë e tillë nuk rezulton të jetë e vërtetë. Në praktikën ndërkombëtare partitë politike të minoriteteve etnike e orientojnë politikën sipas synimeve të vendit amë dhe nga ky rregull nuk ka asnjë përjashtim. Në rastin e PBDNJ-së përkujdesja greke duket të jetë më e madhe dhe tutorizmi grek i vazhdueshëm. Duke parë politikën shqiptare të këtyre viteve të demokracisë rezulton se zyrtarët grekë nuk kanë synuar thjeshtë fuqizimin e PBDNJ-së dhe mbajtjen e saj si faktor politik. Athina zyrtare ka synuar më shumë se kaq, duke ndërhyrë më së shumti vetë drejtpërdrejt në mbrojtjen e interesave greke në Shqipëri. Politika greke, e ndërgjegjshme për rolin simbolik të kësaj partie në politikën shqiptare, ka hequr dorë nga përpjekjet për ta zmadhuar dhe po e sheh më tepër në rolin balancues, në rastin më të mirë për të krijuar maxhoranca të dobëta dhe vetëm në këtë rast roli i PBDNJ-së do të ishte vendimtar, apo siç pritet të ndodhë për të hyrë në koalicione fituese, pa ndonjë peshë të veçantë politike. Vitet treguan se për PBDNJ-në kishte pak hapësirë në spektrin politik shqiptar dhe ajo përfundoi ku e kishte vendin, në parti të minoriteteve. Kujtojmë një kohë kur PBDNJ-ja ishte e shpërndarë në të gjithë Shqipërinë; premtoheshin viza për në Greqi dhe zyrat e degëve të kësaj partie funksiononin si zyra emigracioni, kishte këshilltarë bashkiakë e komunalë, madje edhe pretendime serioze për të fituar bashki dhe komuna në Veriun e Shqipërisë. Ky projekt dështoi dhe politika greke ndjek me vëmendje si dështimet ashtu dhe përfitimet e saj. Ka ardhur koha e llogarive. Nga koalicioni i djathtë është marrë çfarë mund të merrej: hapa para në minorizimin e Himarës, vendosjen e varrezave greke në territorin shqiptar, ndarjen e favorshme të kufirit detar me Shqipërinë, hapjen e disa shkollave në gjuhën greke dhe ruajtjen e ndikimit grek në ekonominë shqiptare. Por e djathta shqiptare nuk është PD-ja dhe me sistemin e ardhshëm zgjedhor mund të kemi forcimin e krahut të djathtë nacionalist si të partive të djathta në koalicion me PD-në, përfshirë partinë e çamëve, ashtu dhe daljen me disa deputetë të Polit të Lirisë. Në një koalicion të tillë PBDNJ-ja do të kishte pak hapësira për të vepruar, sipas Dules, për të avancuar interesat e minoritetit grek në Shqipëri, në të vërtetë për të mbrojtur interesat greke. Praktika ka treguar se Athina zyrtare bën një politikë në përgjithësi dhe qëndrimi i shtetit grek ndaj minoritetit nuk është shumë i qartë. Kjo se e majta tradicionalisht është më pak nacionaliste, por edhe pse politika greke është investuar në rritjen e ndikimit të Partisë Socialiste në minoritet, ku vazhdimisht po del në Parlament një deputet socialist nga zona e minoritetit dhe një, apo dy të tjerë në zonat e tjera. Në fakt Partia Socialiste deri më tani ka mundur ta përfaqësojë minoritetin afërsisht në masë të njëjtë sa PBDNJ-ja. Një koalicion PS-PBDNJ konsiderohet i përshtatshëm për avancimin e mëtejshëm të interesave greke në Shqipëri sepse njohësit e politikës në Athinë mendojnë se koalicioni i majtë del fitues. Por edhe sikur të ndodhë ndryshe, PBDNJ, për interesat greke në radhë të parë dhe më pak, apo aspak për interesat e minoritetit, do të qëndrojë në opozitë. Koalicioni ballisto-legalisto-çam i PD-së nuk ka se çfarë ofron më dhe natyrshëm kërkohen rrugëzgjidhje të tjera. Në këtë optikë, PBDNJ-ja si parti dhe Dule si politikan, më shumë se për betejën elektorale të radhës po bëhen faktori plus i politikës greke, ku me më shumë gjasa me PBDNJ-në në pushtet, por ndoshta dhe në opozitë, Athina zyrtare po projekton kërkesa të reja, kushte të reja dhe përfitime të reja në Shqipëri.

16 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›