INSTAT: Rriten importet e mallrave që vijnë nga Kina në tregun vendas
Tregtia e jashtme e vendit tonë me Kinën ka njohur rritje gjatë këtij viti, duke bërë që mallrat kineze të rriten në tregjet shqiptare. Sipas Institutit të Statistikave, tregtia tradicionale me shtetin e madh aziatik po vazhdon me ritme të kënaqshme, duke synuar rritjen e importit, por edhe të eksportit. Gjatë muajit mars të vitit 2009, nga tregu kinez janë importuar mallra me një vlerë prej 2,418 miliard lekë (nga 2,284 miliard lekë që ishte kjo shifër vitin e kaluar). Ndërsa për të tre muajt e parë të këtij viti nga Kina janë importuar mallra të ndryshme me një vlere prej 6,948 miliard lekë (nga 6,389 miliard lekë që ishte kjo shifër vitin e kaluar). Gjatë muajit mars të vitit 2009, drejt tregut kinez kanë shkuar mallra të ndryshme shqiptare me një vlere prej 254 milion lekë (nga 12 milion lekë vitin e kaluar). Ndërsa për të tre muajt e parë të këtij viti janë eksportuar drejt Kinës mallra me një vlerë prej 415 milion lekë (nga 335 milion lekë që ishte kjo shifër vitin e kaluar).
16 Maj 2009