Leskaj në fshatin Pishaj: “28 qershori do t’i thotë ndal kësaj keqqeverisjeje”
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, ka qenë në fshatin Pishaj në qarkun e Elbasanit. Gjatë takimit me banorët e zonës, Leskaj ka vënë theksin te thellimi gjithnjë e më i madh i varfërisë midis fshatrave dhe qyteteve në vend: “Nuk mund të tolerohet më harresa e qeverisë karshi zonave rurale të vendit. Kjo qeveri nuk po bën detyrën që i ngarkohet me ligj për t’iu ardhur në ndihmë shtresave në nevojë. Çdo individ duhet të gëzojë mbështetje sociale nga shteti, kur ai është në pamundësi për ta përballuar jetesën me forcat e tij deri në fund të muajit. Është e drejtë themelore e çdo shtetasi edukimi apo shëndetësia, por keqqeverisja e këtyre 4 viteve i ka bërë të pamundura këto. Ndaj 28 qershori duhet t’i thotë ndal kësaj keqqeverisje. Ne në 28 qershor, kemi në dorë të vendosim fatet dhe të ardhmen e Shqipërisë, të fëmijëve tanë, kemi në dorë të ndajmë Shqipërinë nga sundimi i Berishës”, - tha Leskaj.
Blushi: “Vota për Sali Berishën, është votë kundër së ardhmes”
Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Ben Blushi, ka zhvilluar dje një takim me banorët e fshatit Barç në qarkun e Korçës. Duke folur për programin e PS-së Blushi tha se ky program do të ndryshojë të ardhmen e vendit. Deputeti socialist ka sulmuar qeverisjen aktuale, duke e cilësuar atë si një qeverisje në funksion të interesave të ngushta familjare. Ai tha se vota për Sali Berishën në 28 qershor do të jetë votë kundër të ardhmes së familjeve shqiptare. “Në këto 4 vjet, Shqipëria, Korça e Barçi, pa dyshim që janë qeverisur shumë keq. Janë qeverisur nga një qeveri e korruptuar, janë qeverisur nga një Kryeministër, i cili siç po dalin përditë faktet, është atje, ku është, vetëm për interesa të vetat dhe familjes së vet. Vota për Sali Berishën, është vota për 4 vjet të tjera Gërdec. Vota për Sali Berishën më 28 qershor, është një votë kundër familjeve shqiptare, fëmijëve, është votë kundër Shqipërisë”, - tha Blushi.
16 Maj 2009