E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama takon investitorët e huaj: “Do t’i mbështesim investimet tuaja”

Kreu i PS-së: “Do të rimbursojmë TVSH-në dhe do të ndërmarrim iniciativa fiskale lehtësuese”. Rama: “Duam të punojmë me ju, së bashku me ato grupe që investojnë para në këtë vend”

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dje një takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Investitorëve të huaj në Shqipëri (FIAA). Duke folur në këtë takim për programin qeverisës së Partisë Socialiste, Rama garantoi investitorët e huaj se qeverisja e PS-së që do të krijohet pas zgjedhjeve të 28 qershorit do të mbështesë investimet e huaja. Kryesocialisti tha se kjo mbështetje do të realizohet me anë të rimbursimit të TVSH-së si dhe ndërmarrjen e disa iniciativave fiskale në lidhje me importin e makinave të reja si dhe investime. “Kjo do t'i lejojë investitorët që ta trajtojnë këtë taksë në disa faza menjëherë pasi të kenë ndërmarrë hapin e parë. Kjo është një politikë që ne do ta zbatojmë me shumë dëshirë, pasi do t'i japë një shtytje të fuqishme ekonomisë në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë asaj rurale”, - tha Edi Rama përpara përfaqësuesve të Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri.

“Kodi i tokës”
Rama tha se në “Kodi i tokës” zë një vend shumë të rëndësishëm në programin e ri qeverisës së Partisë Socialiste. Ai tha se qeverisja e ardhshme synon krijimin e një kadastre multifunksionale, e cila do të jetë shumë përcaktuese në ecurinë e investimeve të reja. “Ajo që duam të trajtojmë ne në mandatin tonë të parë është krijimi i "Kodit të tokës". Një kadastër multifunksionale, e cila mungon plotësisht në Shqipëri, por që është një motor i rëndësishëm për t'i dhënë një kuptim dhe drejtim investimeve të reja dhe ekonomisë në përgjithësi. "Kodi i tokës" nga njëra anë dhe një kadastër multifunksionale nga ana tjetër, së bashku, do të bëjnë të mundur një ndryshim të dukshëm në drejtim të administrimit të tokës”, - vijoi ai.

Infrastruktura

Kreu i PS-së u ndal gjithashtu edhe në investimet në infrastrukturë. Ai tha se ndryshe nga qeverisjet e mëparshme, të cilat i kanë përdorur këto investime për influencë politike dhe për qëllime elektorale, qeverisja e ardhshme e Partisë Socialiste synon që investimet në infrastrukturë t’i trajtojë si investime zhvillimi, në funksion edhe të mbështetjes ndaj bizneseve. “Në mënyrë të veçantë investimet që lidhen me zonat rurale janë përdorur përherë për influencë politike dhe për qëllime elektorale. Ne duam ta ndryshojmë këtë, duke i trajtuar investimet në infrastrukturë qartësisht si investime zhvillimi, duke konsideruar rrugët e vendit si rrugë prodhimi apo rrugë turizmi. Kur flas për rrugë prodhimi kam në mendje nevojën për të pasur një plan integrues për transformimin e të gjithë rrjetit të rrugëve, që lejon prodhimin në zonat rurale, që të lidhet dhe të jetë pjesë e tregut dhe që lejon një rrjet normal mbledhjeje dhe shpërndarjeje të prodhimeve. Ne duam të punojmë se bashku me ju dhe së bashku me ata grupe që kanë investuar apo që do të investojnë para në këtë vend. Ideja jonë është ta bëjmë këtë gjë në baza të rregullta dhe të bëjmë thesar eksperiencat tuaja dhe idetë tuaja. Është shumë e rëndësishme, pasi duke u bazuar në këto baza, ne mund të kalojmë shumë më shpejt dhe lehtë shumë pengesa dhe të evitojmë të kemi të tjera, që nuk janë shkak i mungesës së vullnetit, por injorancës dhe e një mënyre të punuari që i përket se shkuarës. Nga njëra anë krahu i lirë i punës mund të jetë një avantazh, por nga ana tjetër mund të jetë një handikap. Kështu që ne duam të përpiqemi të përshkruajmë një rrugë të re në atë drejtim, duke investuar më shumë dhe duke u përqëndruar shumë. Do të mundohemi ta bëjmë këtë në bashkëpunim me komunitetin e biznesit për trajnimet profesionale dhe kualifikimin e të rinjve. Ne do të inkurajojmë dhe mbrojmë me një vullnet dhe shpirt krejtësisht të ri çdo lloj investimi në këtë vend që do të çojë në hapjen e vendeve të reja të punës dhe që do të ketë të bëj me prodhimin”, - tha kreu i PS-së Edi, Rama.

PS, sot Konferenca Kombëtare për Programin

Partia Socialiste do të organizojë gjatë ditës së sotme Konferencën Kombëtare të Programit të saj qeverisës, në të cilin ajo do të shpalosë vizionin dhe idetë për prioritetet kryesore të qeverisjes së saj. Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, tha se ky program është finalizuar pas dialogut që është zhvilluar me të gjithë shqiptarët dhe pas tryezave të organizuara me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj. Kodheli tha se në thelb të këtij programi qëndron punësimi dhe shkollim I shqiptarëve. “Një program që përqendrohet tek interesat e të gjithëve, jo të disave, që ofron zgjidhje për problemet e shqiptarëve, jo të politikanëve. Një program konkret, që ofron më shumë punësim, më shumë shkollim, një sistem shëndetësor më cilësor, që e nxjerr vendin nga varfëria dhe i ofron këtij vendi shpresë dhe mundësi”, - tha zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste.

16 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›