E Diel, 1 Nëntor 2026

Vangjel Dule: “Berisha po më përçan partinë”

Kreu i PBDNJ-së pranon se është konsultuar me Karamanlisin për koalicionin. Sipas Dules, aleanca me socialistët ishte e vetmja zgjidhje për të mbajtur partinë

Luis Tanushi
Kreu i Partisë për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, e ka akuzuar kryeministrin Berisha për prapaskena politike. Dule shprehet se Berisha po tenton të përçajë PBDNJ-në. Kreu i kësaj partie deklaroi se kryeministri po ndërton skenarë politikë për të realizuar ndarjen e partisë. Akuzat e Dules ndaj kryeministrit Berisha bëhen pas largimit të disa anëtarëve të Kryesisë së PBDNJ-së dhe akuzave të këtyre të fundit ndaj tij. Largimi i një pjese të anëtarëve të kësaj partie nga strukturat bëhet pas ndarjes së PBDNJ-së nga koalicioni i djathtë dhe bashkimit të saj me koalicionin e majtë “Bashkimi për fitore”.
Akuza
Vangjel Dule e akuzon kryeministrin Berisha si organizator i skenarëve për përçarjen e PBDNJ-së. Sipas tij, kryeministri po përdor disa anëtarë të partisë për të realizuar qëllimet e tij. “Zbuluam, me gjithë madhështinë e vet, skenarin e zotit Berisha për inskenarizimin e PBDNJ-së”, - është shprehur Dule.
Dule shprehu keqardhjen që edhe anëtarë të PBDNJ-së, të cilët janë në pozicione kyçe të strukturave të PBDNJ-së, kanë dalë kundër vendimit për futjen në zgjedhjet e ardhshme në koalicion me PS-në. Dule ka folur edhe për akuzat që janë drejtuar ndaj tij, sipas së cilave, nuk është respektuar vendimi i Kryesisë së PBDNJ-së në lidhje me koalicionet. “Ka dy momente për të cilat më vjen shumë keq, pasi bëhet fjalë për dy bashkëpunëtorët e mi, që u janë dhënë pozicione kyçe dhe vjen një moment kur depersonalizohen në mënyrë të tillë”, - është shprehur Dule. Sipas kreut të PBDNJ-së, vendimi për kalimin në krahun e majtë është marrë pas diskutimeve me shoqatën “OMONIA”. Dule e quajti qëndrimin e shoqatës “OMONIA”, që PBDNJ-ja të futet në koalicion me PS-në, si “zgjidhjen më realiste”.
Dule theksoi se dalja e PBDNJ-së si forcë e vetme për zgjedhjet parlamentare është e pamundur. Ai u shpreh se nëse kjo forcë politike do të dilte e vetme në zgjedhje, kjo do të shënonte fundin e kësaj partie.
Aleanca
Kryetari i PBDNJ-së ka theksuar se çështja e koalicioneve është folur edhe gjatë vizitës së kryeministrit grek, Kostas Karamanlis. Vangjel Dule deklaroi se kryeministri Karamanlis ia ka lënë dorën të lirë PBDNJ-së t’i zgjedhë vetë bashkëpunimet. Pas mbledhjes së Kryesisë së PBDNJ-së për çështjen e koalicionit, Dule
u shpreh se negociatat me Partinë Demokratike dështuan. Kreu i kësaj force tha se PBDNJ-ja nuk gjeti terren të përbashkët me maxhorancën aktuale për të bashkëpunuar për zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen më 28 qershor. “Qeveria, e drejtuar nga kryeministri Berisha, nuk ka bërë aq sa duhet në reformat sociale”,- u shpreh Dule. Ai theksoi se PBDNJ-ja do ta vazhdojë bashkëpunimin me PS-në edhe pas zgjedhjeve. “Bashkëpunimi ynë me PS-në do të vazhdojë, nuk është vetëm për zgjedhjet e 28 qershorit, por do të vazhdojë edhe pas kësaj date”, - u shpreh kreu i PBDNJ-së. Dule u shpreh se vendimi i Kryesisë së kësaj partie është marrë me korrektësinë më të madhe.
Përçarja
Menjëherë pas vendimit të PBDNJ—së për daljen nga qeveria dhe futjen në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në koalicion me të majtën, në strukturat e PBDNJ-së filluan edhe përçarjet e para. Anëtarët e kësaj partie, Spiro Ksera dhe Kosta Barka, kanë dalë kundër vendimit të PBDNJ-së për një koalicion me opozitën duke kërkuar nga PD-ja që të jenë pjesë e kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Para pak ditësh, prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, njëkohësisht kryetari i degës së PBDNJ-së dhe i OMONIA-s për Gjirokastrën, e quajti absurde koalicionin që PBDNJ-ja do të bëjë me PS-në. Sipas tij, PBDNJ-ja mund të kandidonte e vetme në zgjedhjet e ardhshme. Ksera ka dhënë dorëheqjen edhe nga kandidimi për deputet të PBDNJ-së në qarkun e Gjirokastrës, ku ka qenë i pari në listë. Ndërsa anëtari tjetër i PBDNJ-së, Kosta Barka, deklaroi se për kalimin e PBDNJ-së majtas nuk ka vendim kryesie dhe se u shpërfill dhe vendimi i OMONIA-s. "Janë shtatë vota për të dalë të pavarur dhe pesë vota për koalicione me parti të tjera",- shprehet Barka. Në vazhdën e largimeve nga PBDNJ-ja, kryetari i komunës Finiq në rrethin e Delvinës, Ziso Lluci, dje dha dorëheqjen nga Kryesia dhe nga organet e tjera të PBDNJ-së, në shenjë proteste ndaj liderit të kësaj force politike, e cila një ditë më parë u bashkua me koalicionin e majtë.

16 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›