E Diel, 1 Nëntor 2026

Gaqo për “Gines”, ndryshon tri parti në tre vjet dhe në fund ngec te Berisha



Duket se çuditë dhe surprizat në skenën politike shqiptare nuk kanë të sosur. Çudia e radhës kësaj here mban emrin e Gaqo Apostolit dhe partisë së krijuar prej tij, të quajtur Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet. I pozicionuar për 18 vjet me radhë kundër Sali Berishës, madje i dhunuar edhe fizikisht në zgjedhjet e manipuluara të vitit 1996 nga njerëzit e ish-presidentit dhe kryeministrit të sotëm, Gaqo Apostoli, kryetari i ADS-së, ka vendosur që në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 të marrë pjesë në koalicionin e Partisë Demokratike, të udhëhequr nga ish-kundërshtari i tij politik, Sali Berisha. Një vendim i tillë është zbuluar dje, kur të gjithë gazetarët kanë mbetur të çuditur teksa kanë parë emrin e Gaqo Apostolit dhe partisë së tij ADS të regjistruar në listën zyrtare të koalicionit “Aleanca për ndryshim”. Pasi u shkëput tre vjet më parë së bashku me 300 anëtarë nga PSD-ja e Skënder Gjinushit për t’u bashkuar me LSI-në e Ilir Metës dhe pasi u largua i vetëm në mars të 2009-s nga LSI-ja, Apostoli krijoi një parti të re të quajtur Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet. Ish-ministri i Transporteve në qeverinë socialiste shpresoi më kot që ai dhe partia e tij të kandidonte në zgjedhjet e 28 qershorit përkrah koalicionit “Bashkimi për ndryshim”, të udhëhequr nga Partia Socialiste.
Për ditë me radhë ai qëndroi në ambientet e bar “Austria”-s pranë selisë rozë, në pritje të ndonjë kontakti me kryesocialistin Edi Rama. Por ky i fundit i ka shmangur takimet me Apostolin, kjo edhe për shkak të “presionit hakmarrës” të Gjinushit, duke i lënë të nënkuptohej se nuk bënte pjesë në projektin e tij.
Në këto kushte Apostoli ka vendosur t’i luajë të gjitha. Edhe me të pamundurën. Pikërisht duke vendosur që të bashkohet me Sali Berishën dhe koalicionin e tij. Për t’u theksuar është fakti se pak ditë më parë ai u dërgonte një letër drejtuesve të partive të dy koalicioneve të majta, ku u kërkonte bashkimin në një koalicion të vetëm, pasi sipas tij kjo ishte e vetmja mënyrë për të larguar Sali Berishën nga pushteti. Por duke parë se liderët e së majtës nuk pranuan të bashkoheshin, atëherë Gaqo Apostoli vendosi të shkojë vetë tek Berisha. Ai e ka marrë këtë vendim
duke e konsideruar karrierën e tij politike, ashtu edhe si dy këngët e tij të preferuara që kemi parë t’i këndojë shpesh: Fillimin si kënga “Për ty atdhe” dhe vazhdimin e karrierës si “Let it be”, që në shqip përkthehet (Varja).

16 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›